TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2025, 22:32

Zgjedhjet, Ramën e uron Starmer dhe aleati i Berishës; mungojnë mesazhet nga Berlini dhe Uashingtoni

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet, Ramën e uron Starmer dhe aleati i Berishës; mungojnë

Dy ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, ndërkohë që procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, Kryeministrit Edi Rama kanë nisur ti mbërrijnë urimet e para nga homologët e tij europianë për fitoren e zgjedhjeve.

E para që e uroi ishte Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, të cilën Edi Rama e konsideron ‘motra italiane’ dhe ka një raport të veçantë miqësor.

Më pas ishte kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç dhe ai i Spanjës, Pedro Sanchez, që e kanë uruar Edi Ramën për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhje.

“Urime Kryeministrit për fitoren në zgjedhje! Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e bashkëpunimit brenda NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, mezi pres të marr pjesë në samitin e KPE-së në Tiranë të premten”, shkroi Plenkoviç. Ky i fundit është një prej aleatëve të sali Berishës në PPE, madje një prej atyre që e takoi në samitin e Partive Popullore në Spanjë, dhe një nga firmëtarët e një prej rezolutave që denonconte klimën zgjedhore.  

Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u shpreh se fitorja tregon mbështetjen që shqiptarët japin për përpjekjet e vendit për anëtarësimin e vendit në BE.

“Urime, Edi Rama, për fitoren bindëse të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë dërmuese përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzime”, shkroi Sanchez.

Gjithashtu kryeministri britanik Keir Starmer ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të katër qeverisës duke e cilësuar historike.

“Urime @ediramaal për fitoren tuaj historike në zgjedhje.

Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për të sjellë rezultate për njerëzit që punojnë në të dy vendet tona”, shprehet kryeministri britanik.

Një urim Edi Rama e ka marrë edhe nga Presidenti i Ukrainës, Zelensky, që gjithashtu Kryeministri i Shqipërisë e konsideron një mik të veçantë.

Ndërkohë, duket se ka munguar mesazhi nga Kancelari gjerman, Merz, ai i Greqisë, Mitsotakis, dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë reagim nga SHBA. Krahasuar me 4 vite më parë, kohë kur Rama urohej për fitoren nga DASH, pa nisur ende numërimi i votave, duket se këtë rradhë, po i mungon mesazhi, që sigurisht do e çlironte, qoftë edhe nga ‘pretendimet’ e opozitës, ndërsa rezultati i zgjedhjeve do të merrte çertifikimin.

 

Lini një Përgjigje