TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shkurt 2026, 11:17

18-vjetori i Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës në seancë solemne; Osmani: E fituam me gjak dhe sakrifica

Shkruar nga Pamfleti
18-vjetori i Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës në seancë
Vjosa Osmani

Kuvendi i Kosovës ka nisur një seancë solemne në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa prej mëngjesit festohet 18-vjetori i shtetësisë.

Seanca solemne nisi me himnin e Kosovës, ndërsa ky moment përkujton rrugëtimin e shtetit të Kosovës dhe është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendit.

Në këtë ceremoni janë të pranishëm figura të larta politike dhe ndërkombëtare, përfshirë presidentin shqiptar, Bajram Begaj, si dhe deputeten britanike, Alicia Kearns. Gjithashtu i pranishëm është edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.

Foltorja qendrore në Kuvendin e Kosovës mban edhe 3 gërmat që simbolizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky përvjetor i shpalljes së Pavarësisë vjen në një moment kur 4 nga ish-liderët e UÇK-së, përfshi edhe ish-Presidentin Hashim Thaçi, që lexoi 18 vite më parë deklaratën e Pavarësisë, përballen në Hagë, në Gjykatën Speciale, ku prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre.

18-vjetori i Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës në seancë

Presidentja, Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

“18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur e  sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë e durim shekullor, ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dëbuan u luftuan, por asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot me respektin më të thellë përulemi para kujtimit të të gjithë atyre burrave e grave që ranë për këtë ditë në mënyrë që Kosova të jetë Republikë”, deklaroi Osmani.

osmani kuvendi seanca

Lini një Përgjigje