TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shkurt 2026, 11:09

5 mijë emblema të UÇK-së i vendosen Newborn, mesazhi për Gjykatën Speciale në ditën e Pavarësisë

Shkruar nga Pamfleti
5 mijë emblema të UÇK-së i vendosen Newborn, mesazhi
Monumenti Newborn

Monumenti Newborn në Prishtinë u shndërrua sërish në hapësirë reagimi publik.

Pas vendosjes së rrethojave metalike dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur”, aktivistë instaluan 5000 emblema magnetike të UÇK-së dhe përcollën një mesazh kundër Gjykatës Speciale.

Përfaqësuesi i iniciativës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, deklaroi se aktiviteti synon të adresojë mënyrën se si, sipas organizatorëve, interpretohet lufta e UÇK-së dhe roli i saj në shtetformim.

Ai tha se përmes simbolikës së vendosur në monument është paraqitur ideja e një “burgosjeje” politike, që sipas tij reflektohet edhe në trajtimin e Kosovës në proceset gjyqësore në Hagë.

Sipas organizatorëve, instalacioni paraqet lidhjen mes historisë së luftës dhe zhvillimeve aktuale politike e institucionale.

Ata theksuan se simbolika e rrethimit të monumentit përfaqëson gjendjen në të cilën, sipas tyre, ndodhet vendi për shkak të proceseve në Dhomat e Specializuara.

Eliza Hoxha, e përfshirë në realizimin e aktivitetit, sqaroi se ndërhyrja artistike këtë vit lidhet me 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo theksoi se Newborn zakonisht përcjell mesazhe që lidhen me rrugëtimin e shtetit dhe reflektimin mbi të ardhmen, ndërsa këtë herë është fokusuar te situata aktuale e ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Sipas saj, ata përfaqësojnë jo vetëm individë, por edhe institucione të shtetit, pasi kanë mbajtur poste kyçe dhe kanë qenë pjesë e shpalljes së pavarësisë.

Aktiviteti u zhvillua disa orë para nisjes së marshit me moton “Drejtësi, jo politikë”.

 

kosova mesazhi newborn

Lini një Përgjigje