
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Në një intervistë për “Euronews Albania” ai tha se armët janë futur në Kosovë prej muajsh dhe se skenari është i mirë përgatitur nga Vuçiç. Sipas tij, ky skenar është i ngjashëm me sulmin në Krime në vitin 2014.
Basha vijon duke thënë se deklarata e Radoiçiç vërteton edhe më shumë hamendësimet se Vuçiç është i përfshirë kokë e këmbë në këtë sulm.
"Duhet të pranojmë dhe komunikojmë se ajo që ndodhi në Kosovë nuk është një incident i izoluar. Armatimi është futur në Kosovë prej muajsh, me qëllim për të provokuar një skenar që duket spontan por është i parapërgatitur, një skenar shumë i ngjashëm me atë që ndodhi në Krime në vitin 2014. Asgjë nuk mund të ndodhte pa ndihmën dhe miratimin e segmenteve shtetërore në Serbi. Pyetja që shtrohet për Vuçiç është se deri ku shkon pjesëmarrja e tij në këtë skenar lufte, jo vetëm për Kosovën por për Ballkanin. Është bashkëautor apo një president i marrë nga mashat e Rusisë, duke filluar nga Vulin? Deklarata e Radoiçiç lë pak hamendësim që Vuçiç është kokë e këmbë brenda në këtë skenar", tha Basha.