Kosova 1 Tetor 2023, 11:27

Vuçiç pretendon se ka “prova” për vrasjen serbëve në Banjskë dhe sulmon EULEX: Pse nuk morët pjesë në aksion?

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç pretendon se ka “prova” për vrasjen

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se ka prova për vrasjen e serbëve në veri nga policia e Kosovës pas sulmit të terroristëve të tij në Banjskë. Ai ka deklaruar se brenda 24 orëve ai do të publikojë provat dhe rrëfimet e dëshmitarëve që ishin në vendin e ngjarjes gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Në një video të publikuar në Instagram, ai ka theksuar se “Serbia nuk do të qetësohet derisa të dalë e vërteta për atë që ndodhi në Banjskë”, ku mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe të paktën tre sulmues serbë më 24 shtator.

Të premten, Millan Radoiçiç mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, Ai dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Më herët, Vuçiç e falënderoi Radoiçiçin për “ruajtjen e serbëve në Kosovë”, para se të deklaronte më vonë se ai do të merrej në pyetje nga drejtësia.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në dhe përreth Banjskës pas sulmit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffery Hovenier tha për BBC të shtunën se sasia dhe cilësia e armëve të gjetura tregojnë se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.

“Kur u vranë tetë policë në Maqedoninë e Veriut, ata nuk ishin terroristë. Por kur u vra një polic shqiptar, i cili nuk duhej të ishte atje, të gjithë serbët deri në moshën katërmbëdhjetë vjeç duhet të hetohen, arrestohen dhe vriten,” u shpreh Vuçiç.

Ditën e djeshme, Vuçiç tha “nuk ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000,” u shpreh ai për Financial Times.

Kujtojmë se SHBA i ka bërë thirrje Serbisë të tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Gjithashtu, qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian i kërkuan po ashtu Serbisë tërheqjen e trupave nga kufiri.

vucic kosove banjske