
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë. Sipas tij, përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani.
“Dënoj kërcënimet e neveritshme ndaj policëve të ri të Policisë së Kosovës, zyrtarë nga komunitetet joshumicë. Përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani. Të gjithë qytetarët e Republikës sonë kanë të drejtë t’i shërbejnë vendit të tyre pa hakmarrje”, u shpreh Kurti.
Zyrtarët nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit. Veton Elshani zëvendëskomandant i PK për Rajonin e Veriut ka bërë të ditur se policët e rinj serbë në PK janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore – Mitrovica, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.
“46 nga oficerët janë serbë, 17 boshnjakë, 8 romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe 3 turq. Të hënën kanë filluar. Tashmë përmes punës praktike aftësohen shtesë për të punuar në patrulla dhe detyra të tjera të nevojshme. Ata do të trajnohen në faza të ndryshme”, tha ai.
Lini një Përgjigje