TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Prill 2025, 10:48

Dështon edhe tentativa e 7-të, Kuvendi i ri i Kosovës nuk konstituohet; a po shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme

Shkruar nga Pamfleti

Dështon edhe tentativa e 7-të, Kuvendi i ri i Kosovës nuk

Dështon për herë të 7 seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në seancën e sotme është paraqitur sërisht kandidatura e Albulena Haxhiut për pozicionin e Kryetares së Kuvendit, ndërsa pro saj kanë votuar 57 deputetë, nga 61 që duhen.

Në emër të LVV-së dhe Albin Kurtit, nënkryetari Glauk Konjufca propozoi sërish Haxhiun për kryeparlamentare.

“Ju kërkoj që ta mbështesni me votën tuaj zonjën Haxhiu”, iu tha ai 109 deputetëve të pranishëm në sallë.

Por duket se nga grupimet opozitare nuk ka asnjë consensus për të mbështetur zgjedhjen e Haxhiut, ndërsa kjo e fundit në seancën paraardhëse tha se nuk përjashtohet mundësia që të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Seanca e rradhës në Kuvendin e Kosovës do të mbahet ditën e martë, që shënon edhe raundin e 8-të të përpjekjeve për konstituim.

PDK-ja është e gatshme që nga sot të diskutojë për zgjedhje të reja, tha kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

“Unë tashmë kam diskutuar për këtë çështje. Kam propozuar edhe datën e mundshme. Dhe nëse vërtet Lëvizja Vetëvendosje s’dëshiron të dalë nga bllokada, atëherë më mirë është të shkojmë në zgjedhje”, tha ai, pasi për herë të shtatë dështoi të konstituohet Kuvendi, meqenëse kandidatja e VV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk i mori 61 votat e nevojshme.

Krasniqi tha se do të ishte në rregull të mblidheshin dhe të diskutonin për këtë çështje, nëse VV-ja nuk dëshiron ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit.

Ai tha se VV nuk mund të mbajë peng shtetin për shkak të një kandidature.

 

Lini një Përgjigje