
Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë konfirmuan epërsinë e Vetëvendosjes, por me mbështetje më të ulët. Rritja e LDK-së, qëndrueshmëria e PDK-së dhe forcimi i Listës Serbe krijojnë një skenë politike më të balancuar dhe e bëjnë më të domosdoshëm konsensusin për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e institucioneve…
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë konfirmuan Lëvizjen Vetëvendosje si forca kryesore politike në vend, megjithëse nuk ka numrat e nevojshëm për të krijuar e vetme Qeverinë.
Zgjedhjet nuk sollën ndryshim të lidershipit politik në Kosovë, por prej tyre kemi një shpërndarje të re të fuqisë brenda sistemit politik. Vetëvendosje mbetet aktori dominues, por nuk ka forcën si më parë. Forcimi i LDK-së, qëndrueshmëria e PDK-së, përmirësimi i rezultatit të AAK-së dhe rritja e Listës Serbe kanë krijuar një skenë parlamentare më pluraliste. Ndaj sfida e ardhshme për Kosovën do të jetë aftësia e forcave politike për ta shndërruar rezultatin zgjedhor në një shumicë funksionale qeverisëse dhe në stabilitet afatgjatë institucional.
Kjo do të thotë se faza e ardhshme, pas zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor, pritet të jetë ajo e negociatave mes partive. Bisedimet mes partive shqiptare të Kosovës pritet të përcaktojnë si përbërjen e qeverisë së ardhshme, ashtu edhe rrjedhën e procesit presidencial që çoi në krizën aktuale politike.
Analistë të ndryshëm në Kosovë kanë nxituar të deklarojnë se Qeveria e re në Kosovë do të ndahet mes VV-së së Kurtit dhe PDK-së së Hamzës, edhe pse negociatat mund të prodhojnë tjetër rezultat. Por referuar rezultateve zgjedhore, duket se sovrani ka diktuar që palët të bashkëpunojnë, të gjejnë zgjidhje politike, ose në të kundërt Kosova do të shkojë drejt një tjetër procesi zgjedhor të parakohshëm.
Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, i ka drejtuar një apel partive në Kosovë që të shkojnë drejt kompromiseve. Në këtë mënyrë Kos ka dhënë një sinjal të qartë se duhet shmangur një tjetër krizë politike, pasi Kosova do të humbiste shumë.
Në zgjedhjet e së dielës, VV e kryeministrit Albin Kurti tregoi se ka një diferencë dyshifrore me dy partitë e tjera, PDK-në e Bedri Hamza dhe LDK e Lumir Abdixhiku, megjithëse krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të para disa muajve, në 7 qershor pati rënie të mbështetjes elektorale.
Referuar rezultateve paraprake, forcimi i opozitës dhe ndikimi në rritje i Listës Serbe kanë krijuar një panoramë parlamentare më komplekse në një moment kur Prishtina duhet të zgjidhë çështjen e presidentit dhe të rikthejë funksionimin e plotë institucional.
Me mbi 99,4% të vendvotimeve të numëruara, Vetëvendosje siguroi 42,91% të votave, krahasuar me 49,34% në zgjedhjet e dhjetorit 2025. Edhe pse humbi rreth 6,5 pikë përqindjeje, partia e Kurtit ruajti një epërsi të konsiderueshme ndaj kundërshtarëve dhe mbetet forca dominuese në sistemin politik të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit sërish e dyta me 21,08%, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndryshimi më i rëndësishëm erdhi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila e rriti mbështetjen nga 13,57% në 17,60%, duke konfirmuar rikthimin si forca kryesore opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) gjithashtu përmirësoi rezultatin, duke u ngjitur nga 5,66% në 7,17%, ndërsa Partia Socialdemokrate nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor dhe mbeti jashtë parlamentit.

Pjesëmarrja në votime ishte një nga elementët më të spikatur të procesit zgjedhor. Vetëm 36,83% e votuesve të regjistruar morën pjesë në zgjedhje, krahasuar me rreth 45% në dhjetor. Rënia përkthehet në afërsisht 200 mijë votues më pak dhe pasqyron lodhjen elektorale pas një periudhe të gjatë pasigurie politike. Kosova u detyrua të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin, ndërsa bllokada institucionale duket se ka ndikuar edhe në mobilizimin e votuesve.
Pavarësisht rezultatit, zgjedhjet nuk përbëjnë një humbje politike për Vetëvendosjen. Ato konfirmojnë se partia vazhdon të ketë bazën më të madhe elektorale në vend dhe një avantazh të dukshëm ndaj rivalëve. Në anën tjetër, rezultati i fundit zgjedhor, tregon se partitë opozitare kanë rikuperuar një pjesë të terrenit politik të humbur në vitet e fundit, duke krijuar një mjedis më të balancuar për mandatin e ardhshëm parlamentar.
Rritja e LDK-së konsiderohet veçanërisht domethënëse. Rikthimi i Vjosa Osmanit në orbitën politike të partisë dhe përpjekjet për rinovimin e identitetit politik të saj kontribuan në shtimin e mbështetjes elektorale. Pas shpalljes së rezultateve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se kandidatura e Vjosa Osmanit për një mandat tjetër presidencial do të jetë një pikë kyçe referimi në çdo negociatë të ardhshme për ndërtimin e një konsensusi institucional.
Një tjetër zhvillim me rëndësi ishte rezultati i Listës Serbe. Partia kryesore politike e serbëve të Kosovës e rriti mbështetjen nga 4,81% në 6,17%, duke forcuar më tej praninë e saj politike. Ky zhvillim merr peshë shtesë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit mbeten në qendër të agjendës rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa pozita e komunitetit serb vazhdon të jetë një element i rëndësishëm i përpjekjeve për stabilitet.
Në deklaratën e tij të parë pas shpalljes së fitores, Albin Kurti përdori një ton pajtues, duke theksuar se në javët në vijim do të kërkojë bashkëpunim me partitë e tjera politike për të zgjidhur çështjen e presidentit dhe për të rikthyer funksionimin e plotë të institucioneve shtetërore. Kjo qasje pasqyron realitetin e ri politik të krijuar nga zgjedhjet, pasi zgjedhja e presidentit dhe formimi i një shumice të qëndrueshme parlamentare kërkojnë mirëkuptim më të gjerë politik. /Pamfleti/
Zoteri Kurtin po e mund Kurti kapricioz, narcist e asocial. Eshte mire qe votuesi i tërhoqi veshin Kurtit! Kurti duhet te ndaloj se qeni kriptolider, ai duhet te zbres me kembe ne toke.
Fitorja ka vetem shijen e Fitores. Mos e beni si ai qe tha se "...vetem koken ia futa..." Keshtu qe: me mire hesht dhe puno, vetanalizohu, qe te sigurosh fitoren neser.