Kjo dekadë i takon Vetëvendosjes, u shpreh Albin Kurti, pas numërimit të votave ku LVV rezulton forcë e parë politike në Kosovë, ndonëse ka një rënie të saj krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare.
“Tani ka shtet për të gjithë, ne jemi të gjithë për shtet. Numri 116 ishte fitues më 28 dhjetor, numri 116 është sërish fitues. Faleminderit që keni mbështetur numrit 116”, tha Kurrti para simpatizantëve të partisë.
Kurti u shpreh se Vetëvendosje udhëhiqet nga interesi publik.
“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë sepse para së gjithash e mbi të gjitha kemi interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane të cilit i shërbejmë me devotshmëri”, u shpreh Kurti.
Në këtë mënyrë Kryeministri në detyrë i Kosovës ka lënë të kuptohet se VV do të përpiqet për një koalicion për t’i dhënë fund krizës politike në vend, ndonëse opsionet për ta zgjidhur atë pa shkuar në zgjedhje të parakohshme ekzistonin sikur Kurti të pranonte një mandat të dytë të Vjosa Osmanit për Presidente.
Ai u shpreh se kjo dekadë do të jetë e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Për më pak se 7 vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare. Që së paku kjo dekadë, e unë besoj edhe shumë më shumë, është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj edhe në këto zgjedhjet e pesta, u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë. Ne i bëjmë bashkë edhe punëtorët, edhe ndërmarrjet, edhe infrastrukturën, edhe bujqësinë, edhe kujdesin për nëna e fëmijë, burra e pleq, për djem e vajza. Faleminderit për këtë mbështetje të madhe. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe atëherë kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar. Sepse tash është shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se institucionet ekzekutive të vendit janë funksionale, por theksoi se mungon Kuvendi e për këtë pati një mesazh për opozitën.
“Jemi të sigurt që te LVV-ja kemi garancinë e mirëqeverisjes dhe se shteti si Republikë është në duar të sigurta. Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministër në detyrë e herë në detyrë si kryeministër. Kosova e ka edhe presidenten, Albulena Haxhiu. Ajo çka i mungon Kosovës nuk është qeveria, as presidenti, por Kuvendi. Blloku opozitar nuk shkon në punë. E ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë në punë. Shpresojmë që në legjislaturën e 11-të", deklaroi ai.
Lini një Përgjigje