Kosova18 Prill 2023, 12:24

Gjyqi në Hagë/ Vazhdon intervistimi i dëshmitarit të dytë, seanca sërish e mbyllur

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqi në Hagë/ Vazhdon intervistimi i dëshmitarit të

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari i W02652 po dëgjohet për ditën e dytë radhazi, nën masa mbrojtëse dhe identiteti i tij nuk është publikuar.

Gjatë seancës së mbajtur dje ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990. Paraprakisht ai sqaroi se kush ka udhëhequr selitë e LDK-së si dhe për strukturën e LDK-së në qytetin e Malishevës. Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.

Gjithashtu i pyetur për tej nga prokuroria dëshmitari i dytë ka deklaruar se ka qenë prezent në varrimin kur UÇK për herë të parë doli publikisht.

Zyra e Prokurorisë Speciale edhe sot e vazhdon procesin e paraqitjes së provave përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Gjatë seancës së kaluar e cila u zhvillua me dyer të mbyllura u mor në pyetje dëshmitarja grua e cila u përgjigj pyetjeve të bëra nga prokurorët e Gjykatës Speciale.

Kujtojmë se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

gjyq hage intervistim seance