Kosova 1 Gusht 2023, 10:49

Jep dorëheqjen zv.ministrja e Arsimit në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti
Jep dorëheqjen zv.ministrja e Arsimit në Kosovë
Edona Maloku dhe Albin Kurti

Zëvendësministrja për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës, Edona Maloku Bërdyna, ka njoftuar dorëheqjen nga kabineti qeveritar i kryeministrit Kurti.

Lajmin e ka bërë publik përmes një postimi në rrjete sociale vetë ish-zv. ministrja, ku thekson se për shkaqe subjektive do të heqë dorë nga angazhimi në politik dhe do t’i përkushtohet punës akademike.

“Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti.

Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare.

U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, shkruan Maloku.

edona maloku dorëheqje