
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar publikut serb me një tjetër mesazh, kësaj rradhe në rrjetin social ‘Instagram’, lidhur me sulmin në Banjskë dhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar që pasoi.
Vuçiç akuzoi Kosovën se po manipulon të vërtetën, teksa shtoi se në 24 orët e ardhshme do të dalë me dëshmi se çfarë ka ndodhur në Banjskë dhe se si një nga terroristët serb është vrarë brutalisht nga polica kosovare.
Ai gjithashtu mohoi pretendimet se Serbia ka dislokuar ushtrinë në kufi, teksa falënderoi Rusinë për mbështetjen dhe shtoi se perëndimi ka ushtruar një presion të madh ndaj Serbisë këto 7 ditë.
“Shtatë ditët më të vështira në 15 vitet e fundit janë prapa nesh, për shkak të ngjarjeve në Kosovë e Metohi, por edhe për fushatën e përgjithshme të nisur kundër Serbisë sonë, fushatën e gënjeshtrave dhe fushatës së të pavërtetave. Siç thotë populli ynë, nuk bie borë për të mbuluar malin, por që çdo kafshë të tregojë gjurmët e saj. Shiheshim se kemi miq, nuk janë të shumtë, por janë trima. Këta janë njerëz që nderojnë rendin dhe OKB-në dhe të drejtën e të vegjëlve për zërin e tyre, nëse doni, të drejtën për jetë dhe mbijetesë. Ne u përballëm me presionet më të rënda të mundshme. Pjesa më e vështirë ishte dëgjimi i tregimeve se si duhej ta mirëprisnim veprimin e policisë së Kosovës. Dhe garancitë se nuk ishte bërë në mënyrë profesionale ishin të kota.
Pyetja jonë ishte pse EULEX-i nuk pranohej të merrte pjesë në atë operacion, por u vendos në sallën e operacionit për të vëzhguar nga larg... Ato përpjekje për të heshtur se si u vranë disa serbë dështuan. Ju njoftoj se brenda 24 orëve do të keni mundësi ta dëgjoni dhe ta shihni. Kemi deklarata nga dëshmitarët okularë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, se si dhe në çfarë mënyre është vrarë brutalisht së paku një person”, tha Vuçiç,raporton Danas.
Ai deklaroi se Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë, teksa nuk la pa provokuar, duke shtuar se shqiptarët vetëm mund ta ëndërrojnë pavarësinë e Kosovës.
“Na takon neve të bashkohemi, të jemi edhe më të fortë, të ndërtojmë edhe më shumë fabrika, rrugë, spitale, të forcojmë ushtrinë tonë dhe të mbrojmë vendin tonë. Mund të ëndërroni për pavarësinë e Kosovës, Serbia do ta mbrojë kartën e OKB-së. Serbia do ta mbrojë Rezolutën 1244 dhe integritetin e saj territorial”, tha presidenti i Serbisë.
Ky është fjalimi i tretë i presidentit serb për Banjskën, pa llogaritur deklaratat individuale për mediat e huaja dhe vendase.
Lini një Përgjigje