TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Maj 2025, 12:52

Kriza politike në Kosovë, "Reuters": Prishtina rrezikon të humbasë fondet e BE-së!

Shkruar nga Pamfleti

Kriza politike në Kosovë, "Reuters": Prishtina rrezikon

Dështimi i radhës për zgjedhjen e kreut të ri të Parlamentit të Kosovës, ka ngjallur frikën e pasojave ekonomike, shkruan “Reuters”, në një kohë kur ky vend, një ndër më të varfrit e Europës, ndodhet prej muajsh nga një ngërç politik.

Ligjvënësit janë mbledhur çdo 48 orë që nga mesi i prillit për të zgjedhur një kryeparlamentar të ri, një hap i nevojshëm ky përpara se kryeministri Albin Kurti, i cili nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet e 9 shkurtit, të mund të përpiqet të formojë një qeveri koalicioni.

Sipas “Reuters”, situata e krijuar po pengon jo vetëm krijimin e ekzekutivit të ri, por mund t’i kushtojë Kosovës edhe qindra miliona euro fonde nga BE-ja dhe Banka Botërore, në një kohë kur ekonomia është në pasiguri të thellë.

“Po insistohet me kandidaturën e Albulena Haxhiut, edhe pse ajo ka marrë vetëm 54 nga 61 votat e nevojshme”, thekson “Reuters”.

Ekspertët paralajmërojnë se dështimi për të zgjedhur kryetarin mund të reflektohet tek fonde të rëndësishme të huaja për sektorë si shëndetësia, arsimi dhe energjia e gjelbër.

Kështu Lulzim Rafuna, kreu i Dhomës Ekonomike ka pohuar se ‘ka projekte dhe kredi me vlerë 700-800 milionë euro që janë pezull për shkak të krizës’, duke shtuar se ‘bizneset janë në pasiguri për reformat, politikat fiskale dhe taksat’.

Agjencia e lajmeve “Reuters” përmend edhe komentin e zëvendëskryeministrit në largim, Besnik Bislimi, i cili insiston se fondet nuk do të humbasin dhe se kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin për të votuar financimet.

Reuters komenton edhe deklaratat e Kurtit i cili tha se “opozita nuk beson që unë i kam 61 vota për t’u bërë kryeministër, dhe unë po ju them: më testoni”, duke vënë në pah se kryeministri në detyrë nuk e ka sqaruar se si pret të sigurojë votat për të formuar qeverinë, kur nuk po arrin t’i sigurojë ato as për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.

Lini një Përgjigje