
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka caktuar më 4 qershor seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi. Ajo tha se seanca do të nis në orën 13:10.
Seanca gjyqësore është caktuar më 4 qershor 2025”, ka deklaruar Gashi.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar të këtij viti, bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, është deklaruar i pafajshëm, Granit Plava është mbrojtur në heshtje, teksa Kushtrim Kokalla s’është deklaruar fare rreth fajësisë.
I vetmi që e kishte pranuar fajësinë ishte Tom Dodaj, i cili akuzohej për shitjen e armës me të cilën u krye vrasja. Sipas aktakuzës ai ua kishte shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro. Për këtë vepër, Gjykata e kishte dënuar Dodajn me pesë vjet burgim e pesë mijë euro gjobë.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.
Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.
Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në makinë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Më pas ditën kur u varros Liridona, Policia arrestoi Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast. Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 7 prill.
Lini një Përgjigje