TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Shtator 2023, 16:31

“Kurti insistoi në njohjen de facto”, Borrell pas takimit Kosovë-Serbi: Palët duhet të zbatojnë kërkesat e BE-së

Shkruar nga Pamfleti

“Kurti insistoi në njohjen de facto”, Borrell pas takimit

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në takimin e të enjtes në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai ka ofruar që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave.

Borrelli ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar së pari njohje de facto nga Serbia, ndërsa Vuçiçi ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

“Ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht, të sigurohet që të marrë diçka e të japë diçka. BE-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtarë, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si rrugë të vetme për të funksionuar zbatimi. Dyja duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me masa nga pala tjetër. Sot, jam munduar me Kurtin e Vuçiqin të gjej rrugën para, duke u bazuar në propozimin tonë. Për fat të keq, pas takimit të gjatë, Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecët para, të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrelli.

Sa i takon zgjedhjeve në Veri, Borrelli tha se dorëheqjet e kryetarëve do të ishte rruga më e shpejtë dhe më e mirë për të zgjidhur situatën.  Ai shtoi se ndonëse Kosova ka bërë hapa para drejt shtensionimit, ajo nuk i ka plotësuar gjitha kushtet.

“BE-ja e sheh dorëheqjen e kryetarëve që janë zgjedhur nga vetëm 3 për qind e popullatës, si rruga më e shpejtë e më e mirë që të mundësohen zgjedhjet e reja. Procedura tjetër për të kërkuar largimin nëpërmjet peticionit është tepër e gjatë dhe e pasigurt. Serbët e Kosovës po ashtu duhet të tregojnë konstruktivitet e të angazhohen pa kushte në procesin elektoral. Duhet të marrin pjesë në zgjedhje. E mirëpres garancinë që mora nga presidenti Vuçiqi në këtë. Nëse nuk ka përparim në zgjedhje, rreziku i eskalimeve të reja do të vazhdojë”, ka thënë Borrell.

Borrelli ka thënë se duhet të merren hapa menjëherë nga dyja palët për të mos pasur përshkallëzime të tjera në veri. Ai shtoi se do të njoftojë shtetet anëtare të BE-së për rezultatin e takimit dhe do të vendoset për hapa të mëtejshme.

borrell kurti vuçiç

Lini një Përgjigje