Qeveria e Kosovës synon fillimin e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb në Kosovë, duke kërkuar koordinim me Bashkimin Evropian.
Këtë plan, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ua shprehu ambasadorëve e diplomatëve ndërkombëtarë në një takim të mbajtur të premten. Në ambasada, gjatë ditës nuk dhanë qëndrime për këtë, teksa përfaqësues serbë e panë planin si lëvizje përshkallëzuese
Për ta nisur procesin e integrimit, Kurti në takim ka kërkuar koordinim me vendet e Bashkimit Evropian.
“Kryeministri i informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë të merren në konsideratë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Pas këtij njoftimi, KOHA u drejtoi pyetje ambasadave për të marrë qëndrimet e ambasadorëve të BE-së, atij gjerman, italian, francez dhe asaj amerikane rreth çështjes, porse deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.
Por, paralajmërimet e Qeverisë për procesin e integrimit të sistemit shëndetësor dhe arsimor i ka quajtur lëvizje të njëanshme dhe përshkallëzuese shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, gjatë takimit në Beograd me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
“Shëndetësia dhe arsimi e përfaqësojnë boshtin e mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe vetë qendrën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe kështu edhe duhet të mbesin”, është shprehur ai.
Institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore funksionojnë ilegalisht, me financim të Serbisë, në komunat e Kosovës të banuara kryesisht me serbë.
Në mandatin e kaluar, Qeveria mbylli disa institucione paralele të Serbisë në Kosovë, përfshirë zyra komunale, posta e ndërmarrje publike.
Lini një Përgjigje