Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i dakorduar në Ohër duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa.
Kurti në një intervistë për “Deutsche Wellen” para takimit të 14 shtatorit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se gjashtë muaj pas arritjes së marrëveshjes në Ohër nuk ka ende zbatim.
Ai thotë se shpreson që më 14 shtator në Bruksel të bëhet kthimi në “binarët e zbatimit të Marrëveshjes bazë”.
“Shpresojë që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni. Dhe çdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, referët Borrel; dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë, e jo sikurse me datë 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ndonëse kjo ishte shkelje e nenit 4 të marrëveshjes që kemi bërë, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri as pëshpërimë, e jo më vërshëllime”, tha Kurti.
Kurti ka shtuar po ashtu se Marrëveshja bazë e dakorduar në Bruksel ka “njohjen de facto në qendër”.
“Marrëveshja bazike e cila e ka njohjen de facto midis Kosovës dhe Serbisë ne qendër është një marrëveshje e cila duhet të zbatohet menjëherë. pra pa vonesa, plotësisht dhe pa kushte, nuk e ka në qendër Asociacionin, e ka njohjen de facto ne qendër, kështu edhe është prezantuar me 9 shtator të vitit të kaluar në këtë zyrën time dhe kështu duhet edhe ta zbatojmë. Unë nuk e mohoj që paraardhësit e mi kanë bërë marrëveshje, por ato marrëveshja ose nuk janë zbatuar nga Beogradi, ose nuk e kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë kam ofruar në Ohër ta shkruaj draftstatutin për nenin shtatë që është vetmenaxhimi i komunitetit serb në lidhje me nenin dhjetë dhe marrëveshjet e mëhershme me tri shtylla: Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, letra e zonjës Federika Mogherini, e cila thotë se nuk mund të ketë nivel të tretë të pushtetit me fuqi ekzekutive, dhe qëndrimi i Derek Schollet dhe Gabriel Escobar nga State Departamenti amerikan për koordinim të këtyre komunave, mirëpo, presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë”.
Sa i përket për masat kundër Kosovës që ka marrë Bashkimi Evropian, Kurti ka thënë se me masat është dëmtuar edhe dialogu.
“Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në Qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar t’i votojnë në Bashkimin Evropian. Po t'i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat. Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”.
I pyetur se çfarë ofron për heqjen e masave, Kurti ka thënë se ka marrë tre hapa konkretë.
“Së pari e kam zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri për 25%, pastaj kam zvogëluar edhe për 25% të tjera, pra gradualisht dhe proporcionalisht me largimin e ekstremistëve të dhunshëm ose me arrestimin e tyre, dhe gjithashtu kam bërë edhe hapin e rëndësishëm të Udhëzimit Administrativ i cili krijon mundësi për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, ashtu që atje të kemi kryetar të rinj brenda pak muajve duke e zbatuar kështu nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale që thotë se së pari qytetarët me 25% të trupit elektoral mund të bëjnë një peticion i cili çon në votim që më pastaj e përfundon mandatin e këtyre 4 kryetarëve të komunave. Unë e di që legjitimiteti i tyre është i vakët sepse ka pasur dalje të ulët në zgjedhje, mirëpo, të tjerët nuk kanë legjitimitet fare”, tha Kurti.
Lini një Përgjigje