
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në Komunën e Prishtinës, në balotazhin e së dielës. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, në një konferencë për mediat tha se kjo ka qenë fitore e idesë dhe punës.
Abdixhiku tha se pos Prishtinës, LDK-ja ka fituar edhe në Pejë, Viti, Dragash e Junik në balotazh, pos Lipjanit e Istogut që kishte fituar në raundin e parë. Sipas tij, me shtatë komuna LDK-ja është partia me numrin më të madh të komunave me të cilat do të qeverisë.
Ndërkohë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar kundërshtarin e tij politik në këto zgjedhje, Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë dhe të jetë bashkëpunues.
“E ftoj të reflektojë me frymë qytetarie. Prishtina ka nevojë për bashkëpunim jo bllokim. Qytetarët s’meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Për këtë qytetari ka folur dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej. Është qytet që nuk e pret të ardhmen por e ndërton atë”, ka thënë Rama.
Lini një Përgjigje