Kosova 6 Tetor 2023, 19:20

"Mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës”, Lajçak nuk kërkon sanksione për Serbinë: Të hiqen masat ndaj Kosovës, dialogu të vijojë

Shkruar nga Pamfleti

"Mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës”,

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se vrasja e Afrim Bunjakut dhe sulmi ndaj policisë së Kosovës nuk ishin një ngjarje aksidentale, siç kishte pretenduar më herët ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç që ishte i përfshirë në këtë sulm terrorist.

Duke folur në Forumin 2BS, që po mbahet në Budva të Malit të Zi, Lajçak u shpreh se dialogu duhet të vijojë.

“24 shtatori nuk ishte aksident. Ishte gjë e tmerrshme që ndodhi dhe duhet të hetohet siç duhet. Fakti është se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe do të ketë ndikim në vazhdimin e dialogut në shumë aspekte por ka një gjë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë është se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi kërkon një marrëveshje, që nënkupton kompromis, që mund ta arrijmë vetëm përmes dialogut”, tha Lajçak.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi deklaroi se masat ndëshkuese që janë vënë nga Unioni 27- anëtarësh ndaj Kosovës mund të hiqen së shpejti, dhe se vetë ai e mbështet këtë ide.

“Në kushtet dhe rrethanat aktuale ku jemi nuk është diçka e mirë që Kosova është nën sanksionet e marra nga Bashkimi Europian ndaj saj. Heqja e sanksioneve është një mundësi që ekziston dhe unë personalisht do ta mbështes”, theksoi ai.

Lajçak deklaroi gjithashtu se rajoni i Ballkanit Perëndimor “nuk po duket aspak mirë dhe të gjithë kanë frikë se mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës”.

“Fatkeqësisht, pas asaj ngjarjeje situata është e tmerrshme. Tani më e rëndësishmja është vërtetimi i fakteve dhe nxjerrja e konkluzioneve dhe pasojave. Nga njëra anë, duhet të punohet për normalizim dhe dialog, por nga ana tjetër kemi përshkallëzim”, tha ai.

Miroslav Lajçak i është përgjigjur edhe akuzave të bëra tre javë më parë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili u shpreh se i dërguari i Bashkimit Europian u tregua i njëanshëm në procesin e dialogut.

Lajçak deklaroi se Kurtit nuk i pëlqeu mesazhi dhe kjo ka qenë arsyeja përse ai sulmoi të Dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun mes palëve. Emisari i BE ritheksoi se dialogu është e vetmja mënyrë për shtensionim të situatës dhe anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian.

lajcak sanksione serbi kosove fantazma dialog