Kosova 6 Tetor 2023, 17:50

Paditi për terrorizëm Radoiçiç dhe Vulin, flet avokati serb: Vuçiç duhet të sanksionohet, qëllimi i tij është të krijojë një Donbas në Ballkan

Shkruar nga Pamfleti

Paditi për terrorizëm Radoiçiç dhe Vulin, flet avokati

Avokati dhe politikani serb, Cedomir Stojkoviç, i cili dy ditë më parë paditi për terrorizëm udhëheqësin e sulmit të armatosur në veri të Kosovës Milan Radoiçiç dhe kreun e shërbimit sekret serb, Aleksandar Vulin ka dhënë një intervistë për mediat shqiptare. Nga sulmi i armatosur i terroristëve serbë u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe më pas Policia e Kosovës ekzekutoi tre nga agresorët.

Ai shprehet se sipas ligjeve të shtetit serb, struktura paramilitare e Radoiçiç është grup terrorist dhe si rrjedhojë duhet të trajtohet sipas ligjeve në fuqi. Ky ka qenë edhe thelbi i padisë së tij.

Në një intervistë për Report tv, Stojkoviç akuzon presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se mbështet grupin e armatosur të Radoiçiç dhe i nxiti ai ata të futen në Kosovë të armatosur rëndë me qëllim përshkallëzimin e situatës dhe destabilizimin e këtij rajoni.

Avokati serb deklaron me bindje se pas skenarëve në veri të Kosovës qëndron presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i cili po tenton të krijojë një “Donbas” në rajonin e Ballkanit gjë e cila do të rrezikonte stabilitetin në këtë pjesë të Europës. Sipas tij, Vuçiç ka për qëllim të aplikojë politikat e Albin Kurtit në rajonin e Ballkanit.

Ai i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të sanksionojë Aleksandar Vuçiç për mbështetjen e grupeve terroriste dhe veprimet e tij destabilizuese në Kosovë.

Gjithashtu, avokati serb shprehet se, si një lidër autokrat Vuçiç përdor shërbimin sekret për të sulmuar zërat opozitarë në Beograd. Udhëheqësit e shtetit serb, Stojkoviç i quan të emëruar nga Rusia, ndërsa apelon për ndihmë nga faktori ndërkombëtar për ndryshimin e këtij realiteti.

Intervista e plotë:

Gazetari: Si është situata në Veri të Kosovës aktualisht, a keni informacion?

Cedomir Stojkoviç: Sa i takon situatës atje nuk kemi shumë informacione se si është situate atje. Shpresoj që çdo gjë të jetë mirë dhe paqësore. Por duhet ta dini dhe ata duhet ta dinë se serbët në veri nuk kanë akses në informacion normal, ka një propagandë të tmerrshme nga Beogradi dhe Serbia, se zoti Kurti do t’i vrasë ata. Se Kurti do të bëjë gjenocid, se Kurti do t’i largojë nga Kosova. Pra unë mendoj se serbët atje janë të frikësuar. Por, ju duhet ta dini se është shumë e vështirë për ne në Serbi ta dimë realisht situatën e vërtetë atje. Kjo situatë nuk duhet të tolerohet. Unë kam kërkuar dënimin e protagonistëve të asaj ngjarje të rëndë. Sipas ligjeve të Republikës së Serbisë, të gjitha grupet paramilitare që nuk i përkasin strukturës së shtetit, janë grupe terroriste. Ne shohim se këto grupe të armatosur rëndë, duan të përdorin forcën për të arritur qëllime politike. Dhe pikërisht, ky grup i Milan Radoiçiç është një grup terrorist. Si kaluan ato armë të rënda pa u ndaluar dhe pa u kontrolluar nga territori serb në Kosovë, në rrugë tokësore? Dhe zyrtarët e shtetit këtu këtë kanë bërë. Të ndihmosh grupin e Milan Radoiçiç do të thotë se po ndihmon terrorizmin. Dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë personi që ndihmon këto grupe paramilitare dhe terroriste është presidenti Vuçiç. Ai qëndron pas të tilla organizimeve.

Gazetari: Në lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit, çfarë mendoni se ka ndodhur dhe po ndodh atje? Çfarë po ndodh tani?

Po, por edhe në tërësi. Çfarë po ndodh në prapaskenë?

Cedomir Stojkoviç: Në prapaskenë është emri i Aleksandër Vuçiç, që do të krijojë skenarë si në Donbas dhe Krimea në veri të Kosovës. Shikoni pak se çfarë Vuçiç deklaroi në fillim të kësaj ngjarje. Ai tha se në Veri serbët donin të rebeloheshin, dhe të armatoseshin përballë terrorit të ushtruar nga Albin Kurti. Pra është një skenar i njëjtë me Donbasin dhe Krimenë, që u futën armatime me qëllim dhe e pamë se çfarë ndodhi më pas. Pra ne kemi 2 probleme këtu, i pari se Aleksandër Vuçiç do të krijojë një skenar Ukrainas si në Donbas, por në veri të Kosovës, dhe i dyti se komuniteti ndërkombëtar nuk e ka ndarë mendjen 100% ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Për mua këtu në Beograd, është e çuditshme, që nuk e njohin Kosovën si një shtet të pavarur që ka autoritetin ligjor në veri. Dhe për mua ka patur konfuzion në komunitetin ndërkombëtar këto kohë. Ka shumë shtete që e njohin si shtet të pavarur, atëherë si mund të pranojnë që grupe të armatosura futen nga Serbia në Kosovë, pa sanksion. Ky konfuzion ndërkombëtar e ka inkurajuar Aleksandër Vuçiç, që të sillet në këtë mënyrë.

Gazetari: Zoti Stojkovic a mendoni se presidenti Vuçiç, është duke përdorur situatën në veri të Kosovës për kapital të brendshëm politik, tani që do të keni zgjedhje lokale por edhe parlamentare të mundshme si deklaron edhe media?

Cedomir Stojkoviç: Jo, njerëzit në Serbi mendojnë atë që Vuçiç krijon në opinionin publik duke kontrolluar mediat. Ai thotë se situata në veri të Kosovës nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Sepse ai kontrollon çdo media në Serbi. 80% e mediave në Serbi janë në kontrollin e tij direkt, pra publiku në Serbi, beson dhe mendon ashtu si media i informon ata. Dhe media e Vuçiç iu jep informacion fals dhe të pavërtetë, ai mund të menaxhojë informacionin në mënyrën se si ai e do. Vuçiç kërkon kontroll në Kosovë, por në thelb kërkon të aplikojë politikat e Vladimir Putinit në Ballkan. Ne kemi parë në muajt e fundit, se ka liderë të lidhur me regjimin e Vladimir Putinit, si Aleksandër Vuçiç, Viktor Orban etj, sillen si një komunitet i njëjtë politik, e mbështesin njëri-tjetrin. Qëllimi i tyre është që herë pas herë të krijojnë trazira ku janë, Orban në BE, ndërsa Vuçiç në Ballkan. Kjo mendoj se është arsyeja kryesore që duhet të kemi parasysh kur flasim për këto regjime.

Gazetari: Si mendoni në lidhje me deklaratat që vijnë nga qeveria e Kosovës por edhe e Shqipërisë në lidhje me situatën, politika në Shqipëri ka qenë më e ftohtë për sa i takon situatës në veri të Kosovës?

Cedomir Stojkoviç: Ajo që duhet të kuptojmë është se jemi në vitin 2023, dhe nuk të tolerojmë asnjë organizatë paramilitare. Çdo organizatë e tillë, në Europë është dhe duhet të shpallet si terrorist. Çdo forcë që del nga organizata të tjera përveç shtetit janë ilegale dhe krijon rrezik për stabilitetit në rajon. Ne duhet ta kuptojmë se ka serb në veri të Kosovës, por ka edhe shqiptare në jug të Serbisë. Ka serb në Bosnje dhe Hercegovinë, por ka edhe boshnjakë në jug të Serbisë. Çfarë do të ndodhte nëse një komunitet do të krijonte grupe paramilitare dhe grupi etnik tjetër do të bënte njëlloj. Nëse do të ndodhte do të kishim reagime zinxhir në Ballkan, që do të pasoheshin nga konflikte. Prandaj ne duhet ta parandalojmë atë. Pra, unë mbështes 100% deklaratën e Albin Kurtit, për të sanksionuar Aleksandër Vuçiç në mënyrë direkte si personi që ka ndihmuar këto grupe paramilitare. Nëse Vuçiç nuk do të ishte në pushtet nuk do të kishim këto grupe paramilitare që rrezikojnë shumë stabilitetin e rajonit tonë, me popullsi mikse në disa rajone. Në duhet ta ndalojmë këtë që të ndodhi.

Gazetari: Zoti Stojkoviç, ju kam ndjekur me shumë vëmendje, ju jeni një politikan pro BE, dhe keni bërë deklarata të forta kundër Rusisë, madje jeni të ata zëra që kërkoni që Serbia t’i bashkohen shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, a keni frikë, a jeni ndier i kërcënuar?

Cedomir Stojkoviç: Po më pyesni a kam frikë?

Gazetari: Po...

Cedomir Stojkoviç: Nuk dua të flas për ndonjë problem timin, nuk dua të komentoj. Por, të falenderoj që më pyete disa gjëra janë shumë të dukshme.

Gazetari: Kuptoj. Dua të kalojmë pak të zgjedhjet në Serbi, si mendoni se është opozita a ka fuqi ka rrëzojë presidentin Vuçiç? Duket shumë i fortë nga jashtë, nuk e di brenda Serbisë...

Cedomir Stojkoviç: Duhet të kuptojmë se në një vend që nuk është demokratik, ai që fiton zgjedhjet ka fuqinë më të madhe. Në Korenë e Veriut, ai që fiton zgjedhjet ka fuqinë absolute, e njëjta gjë ka ndodhur me Irakun. Aleksandër Vuçiç ka pushtet absolut në Serbi, njerëzit e tij kontrollojnë pothuajse gjithçka këtu. Duke filluar nga media, gazetat, televizione, por gjithashtu ka shumë kontroll në mediat sociale duke paguar njerëzit, por gjithashtu ekonominë e Serbisë. Pra, është shumë e vështirë që të kesh një biznes dhe t’i dalësh kundër Vuçiç, sepse në të kundërt biznesi do të të mbyllet menjëherë sapo të bësh kritika. Por gjithashtu shumë njerëz në Serbi janë të punësuar në ndërmarrjet shtetërore. Në këtë mënyrë Vuçiç kontrollon shumë vota. Pra ka një fuqi që mund ta rrëzojë Vuçiçin nga pushteti dhe është ndihma që duhet të vijë nga vendet perëndimore. Sepse çdo nismë e jona si opozitë këtu do të dështojë për shkak se sapo ka kritika ndaj tij, ai të dërgon menjëherë agjentët sekret dhe njerëzit e tij, duke mos të lejuar të bësh politikë.

Gazetari: Dua të kthehem pak te situata në Veri të Kosovës, cilët besoni se mund të jenë skenarët më të mirë për të patur paqe për të dyja komunitetet në veri, si serbët dhe shqiptarët e Kosovës?

Cedomir Stojkoviç: Për paqen, ne duhet të jemi të qartë, të njohim Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, pikë. Duhet ta pranojmë se Kosova është një shtet i pavarur dhe që do të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Dhe shtetet tona do të administrojnë një territor. Nuk duhet të ketë viza mes nesh, nuk duhet të ekzistojë kufiri fare në mendimin tim. Nëse njerëzit nga Serbia duhet të shkojnë në një manastir në Kosovës ta kalojnë si bëjnë polakët që shkojnë në Gjermani ka kufij fare, por edhe nëse shqiptarët duan të shkojnë në Beograd. Duhet të luftojmë për këtë që Serbia ta njohë këtë realitet. Ne e humbëm Kosovën në 1999, duke u futur në një luftë dhe duke e humbur atë. Pra territori ka ndryshuar dhe ky është realitet. Unë kur flas me njerëzit e mi këtu në Serbi, asnjë prej tyre nuk do të jetojë në Kosovë. Pra, një serb i Beogradit të shkojë dhe të jetojë në Prishtinë. Por gjithashtu nuk duan në qeveri përfaqësues nga Kosova të jenë të qeveri apo në parlament. Pra, për çfarë jemi duke luftuar, për një vijë në hartë. Kur do të ndryshojë hartat, le ta marrë një të tillë dhe të vizatojë, por ne duhet të gjejmë një zgjidhje territorial, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Gazetari: A besoni se opinion publik në Serbi është gati për këtë hap të madh?

Cedomir Stojkoviç: Jo nuk është gati, madje e kundërta, mendojnë ndryshe nga ana ime. Dhe ky problem vjen pasi Vuçiç kontrollon opinionin publik në Serbi duke kontrolluar mediat dhe jo e kundërta. Nuk ka në historinë njerëzore raste ku opinion publik drejton median, por e kundërta. Nëse do të kemi media të lirë, me argumente të lira, mendime të lira dhe diskutime normale, atëherë mendoj se opinion publik në Serbi do të mendojë në mënyrën që unë mendoj, sepse kjo është mënyra e duhur për të menduar.

Gazetari: Zoti Stojkoviç, a mendoni se Serbia duhet të jetë pjesë e NATO-s?

Cedomir Stojkoviç: Unë mendoj shumë që Serbia duhet të jetë pjesë e NATOS. Por, më parë Serbia duhet të reformohet për në NATO. Sepse duhet kujdes të kesh një shtet pro-Rusi në NATO. Nuk duhet harruar se NATO u krijua për të mbrojtur shtetet europiane dhe për të ofruar siguri nga Bashkimi Sovjetik, Rusia e tanishme. Do të ishte absurde të kishim një shtet pro Rusisë, të jetë pjesë e NATO-s, prandaj fillimisht duhet të reformojmë politikën, shoqërinë serbe dhe opinionin publik, dhe pas saj duhet me patjetër Serbia të jetë pjesë e NATO-s. Por edhe Kosova duhet të jetë, pasi mendoj se është garancia e vetme për paqe në rajonin tonë. Kemi shembuj jo larg nga këtu Turqia dhe Greqia që kanë patur luftëra shumë më gjakatare mes tyre. Luftërat që ka patur Serbia janë një shaka krahasuar me ato 2 shtete, por tani janë pjesë e NATO-s dhe kanë paqe. Pa NATO-n mes Turqisë dhe Greqisë do të kishim shumë luftëra, e njëjta duhet ta aplikohet edhe në Serbi dhe Kosovë. Në mënyrë që të bëhemi miq me njëri-tjetrin dhe jo armiq si kemi qenë në disa faza të historisë tonë.

Gazetari: Zoti Stojkoviç, shikoj që ju bëni deklarata kurajoze, por përse besoni se rajoni jonë krijon liderë autokratik, jo vetëm Serbia, por edhe vendet e tjera, por në rastin konkret e kam për Serbinë?

Cedomir Stojkoviç: Përse do të thoni? Për shkak të Rusisë kjo është e dukshme. Duhet ta dini si Rusia dhe Moska operon. Rusia nuk ka gjë tjetër përveç naftës për të krijuar influencë në disa shtete. Po ta shikoni kultura europiane është që njerëzit duan të jetojnë mirë, apartamente të mira, të udhëtojnë, të kenë makina etj, por Rusia nuk e ofron dot, pra ka stil tjetër jetese. Prandaj, Rusia dhe agjenturat e saj në botë, gjejnë persona që kanë dellin të kthehen në diktatorë. Rusia i zbulon këta persona dhe i vendos në pushtet. Në rastin e Serbisë nuk është e vështirë, sepse Serbia është e vogël, Rusia është e madhe. Do ju jap një metaforë, nëse një shitës droge i jep drogë një fëmije, një i madh, në rastin konkret SHBA, do e godasin në fytyrë. Por në shtete si Sllovakia apo Serbia, kjo influencë e Rusisë nuk mund të luftohet pa ndihmën e Perëndimit që duhet të investojë shumë në burime inteligjente në Serbi apo Sllovaki, për t’i ndihmuar këto shtete të luftojnë influencën ruse. P.sh, nëse Vuçiç ikën nga pushteti, Rusia e ka gati zëvendësuesin menjëherë dhe do ta vendosë dhe mbajë në pushtet. Prandaj ne duhet ta ndalojmë këtë proces problematik. Kjo është arsyeja se përsa na duhet kaq shumë NATO.

terrorizem avokati serb vucic sanksione donbas ballkan