
Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me liderët evropianë të enjten në Bruksel. Kurti është larguar nga vendi ku u mbajt takimi pa dhënë detaje për takimin dhe pa u prononcuar për mediat.
Tani pritet që liderët europian të zhvillojnë takimin e radhës me presidentin e serb, Aleksandër Vuçiç dhe më pas pritet që negociatorët e BE-së të dalin me një deklaratë lidhur me mbarëvajtjen e diskutimeve.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, këto takime janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiç priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Lini një Përgjigje