TAGS-AT E JAVËS

Kosova 4 Mars 2026, 17:47

Propozimi i Konjufcës për president, reagon LDK-ja: Qasje jo serioze, rrezikojmë zgjedhje të parakohshme

Shkruar nga Pamfleti

Propozimi i Konjufcës për president, reagon LDK-ja: Qasje jo serioze,

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke e quajtur atë jo serioze dhe të papërgjegjshme, pas propozimit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, për postin e Kreut të Shtetit.

Në një komunikatë për media, LDK-ja thekson se procesi kushtetues duhet të zhvillohet me përgjegjësi institucionale dhe në frymën e vërtetë të konsensusit.

Sipas tyre, takimet e deritanishme kanë qenë vetëm konsultative, por qasja e VV-së e trajton çështjen si garë politike, ku një palë propozon emra dhe të tjerët ftohen vetëm për t'i mbështetur, në vend të një diskutimi të përbashkët për një kandidat që përfaqëson unitetin institucional dhe gëzon besim të gjerë parlamentar.

LDK-ja thekson se kjo mënyrë e të vepruarit nuk krijon kushte për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon vullnet të mirëfilltë për marrëveshje të gjerë. Më tej LDK-ja shton se për shkak të kësaj qasjeje, Kosova rrezikon të kalojë afatet kushtetuese dhe të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

"Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore. Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar.

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë", thuhet në njoftimin e LDK-së.

ldk lvv kosovë presidenti

Lini një Përgjigje