TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia13 Prill 2023, 14:32

Rreziqet reale të një ‘Charlie Hebdo’ në Kosovë, prej klerikëve të dhunshëm!

Shkruar nga Pamfleti
Rreziqet reale të një ‘Charlie Hebdo’ në Kosovë,
Valon Sula

Ajo që ka ndodhur me Valon Sylën nuk është aspak një rastësi, e aspak një veprim që ishte një rrufe në qiell të pastër…

Kush e ka ndjekur Valon Sylën në ligjërimin e tij publik në media dhe rrjete sociale, e ka krijuar idenë se ai nuk është një gazetar që ka “qime në gjuhë”. Përkundrazi, siç është bërë modë tashmë në Tiranë e Prishtinë, Syla është një polemist sanguin, që nuk kursen shpoti e goditje ndaj atyre që kritikon.

Ai prej kohësh është një kritik i ashpër, shumë i ashpër ndaj Lëvizjes Vetevendosje, qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Por përveç pushtetit, Syla, që për thënë të vërtetën është unik në mënyrën e polemikës, ka nisur prej kohësh një seri kritikash ndaj kupolës së klerikëve të kosovës, gjegjësisht krerëve të Bashkësisë Islame.

Ai është marrë me aspektin e pasurisë dhe miradinave pa cak të kryetarit Tërrnava dhe imamëve të emëruar prej tij. Kritika me një fjalë! A nuk është kjo një gjë normale në një vend të lirë?

Valoni bën shumë postime të forta, kritike, ironike, madje edhe goditëse. Ka bërë dikur edhe ndaj ‘Pamfleti’-t, por me ironi, brenda logjikës normale që një publicist duhet të veprojë.

Një natë më parë, pas një postimi ndaj klerikëve muslimanë, pas një emisioni televiziv, një komando “civile” e mbyti në grushta dhe e bëri për spital gazetarin, duke i shkaktuar plagë e duke përdorur një dhunë të tmerrshme.

Pas kësaj dhune të frikshme që të kujton shoqëritë aziatike apo fashiste, ku paramilitarët zgjidhin me dajak atë që kanë inat, problemi është shumë më i madh sesa dhuna ndaj Valon Sylës.

Një pjesë e opinionit, pa ju dridhur qerpiku, thonë se dajakun Valoni e ka merituar sepse i ka “ngrënë kurrizi”.

Dhe e thonë pa teklif, a thua se dhuna është një mjet kushtetues në Kosovë, në një vend, ku Kodi Penal e konsideron dhunën, pra dajakun një krim që e dënon me burg.

Ky mentalitet është i rëndë, madje i dënueshëm, por kot ta fshehim, vegjeton ndër shoqëritë tona shqiptare, edhe si pasojë e një mos emancipimi të pjekur.

Ne, atë që na besdis duam ta linçojmë, sulmojmë, dhe ta godasim. Jo vetëm në territorin ku jetojnë shqiptarët, por në tërë Ballkanin…

Megjithatë, dhuna ndaj Valon Sylës ka një shkak, ose shumë shkaqe e argumente që nuk varen thjesht nga mentaliteti. Pasi kemi të bëjmë me një sistem, që fatkeqësisht është betonuar në shoqërinë e Kosovës, por edhe më gjerë. Një sistem që nuk del krejt lakuriq në median tradicionale, por vepron në skutat digjitale të rrjeteve, si edhe në mexhelise religjioze, ku kryefjalë e gjithçkaje është urrejtja, yshtja për dhunë, e vetë dhuna e egër e pa fre.

Ajo që ka ndodhur me Valon Sylën nuk është aspak një rastësi, e aspak një veprim që ishte një rrufe në qiell të pastër.

Pasi ka kohë, shumë kohë, që në Kosovë, ka një sistem të instaluar fort nga klerikët muslimanë, natyrisht jo të gjithë, të cilët kanë një mënyrë komunikimi të rëndë dhe drastik ndaj kujdo që ata e konsiderojnë “heretik”, “qafir”, apo të “papërshtatshëm”.

Gati dhjetë vite më parë, një klerik zyrtar i BIK-ut të Kosovës, imami i Prizrenit Irfan Saliu ka lëshuar një fatva në faljen zyrtare në xhaminë ku shërben ndaj grave shqiptare që nuk mbulohen, nuk janë shtëpijake, e që punojnë e janë të pavarura. Ï cilësoi literalisht “kurva”. Alma Lame, gazetarja e njohur shqiptare, deputete e Vetëvendosjes dhe e LDK-së, e cila ka shërbyer edhe si ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, është sulmuar egërsisht e vazhdimisht nga xhemati urryes i rrjetit të BIK-ut.

Ky lloj xhemati nuk është aspak spontan, pasi nuk vepron krejt i paorientuar, por është i përqëndruar pikërisht në linjat e atyre që vetes i thonë besimtarë, por vetëm të tillë nuk janë.

Si mund të jetë besimtar një qënie që nga mëngjesi në darkë shan me fjalët më të rënda e të pista të shqipes, e më pas kërcënon me vrasje, mbytje, prerje e lloj lloj makabritetesh të tilla.

Mjafton të lexohen rrjetet e xhematëve të imamëve më “kontraversalë” të Kosovës si Irfan Saliu, Shefqet Krasniqi etj, për të parë këtë mënxyrë sharjesh e fjalësh të pahijshme për çdo njeri që i falet Zotit, në rrjetet zyrtare. Shajnë ata që i konsiderojnë si “qafira”, pra njerëz që nuk i duan muslimanët, shajnë edhe ata që i konsiderojnë si “munafikë”, pra njerëz besimtarë që i konsiderojnë të butë e kompromisaxhi.

E gjitha kjo nuk vjen fare nga koncepti integralist apo konservator i klerikëve, pasi në Maqedoninë e Veriut, si klerikët, si xhemati janë shumë po shumë më besimtarë, e më praktikantë se pjesët e tjera të trojeve shqiptare.

Por ata nuk përzihen me pjesën tjetër kur s’duhet. E çështë më e rëndësishmja nuk i sulmojnë dhe linçojnë. Nuk ka ndodhur kurrë, përveç polemikave që janë të pritshme. Arbën Xhaferi i ndjerë ka qenë shpesh objekt polemikash, por asnjëherë nuk është linçuar. Hoxhallarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut janë tepër ekstremë jo vetëm në mënyrën sesi e konceptojnë jetën e besimtarëve, por edhe logjikën e Sheriatit. Megjithatë, këtë sistem ata e praktikojnë me besimtarët e rregullt që shkojnë në xhami. Natyrisht edhe me të tjerët, por as nuk nxisin, e as nuk frymëzojnë fushata dhune…

Kjo që ndodh në Kosovë është jo vetëm një sistem i turpshëm, por i rrezikshëm që ka krijuar një grup të rëndësishëm interesi, i cili një vit më parë ishte gati të kapte edhe lëvizjen Vetëvendosje, pasi Albin Kurti ka përfituar shumë vota nga ky komunitet, i cili realisht nuk është i tillë.

Në fakt është një ushtri, e cila është gati të bëjë çdogjë që thonë imamët mendje e gjakprishur. Siç rrahën Valon Sylen, apo edhe ndonjë Charlie Hebdo të mundshëm në zemër të Kosovës.

Në fund të fundit, ajo që ndodhi në Prishtinë, përveç falë zotit mungesës së viktimave nuk ishte gjë tjetër vetëm një Charlie Hebdo. / Pamfleti

valon syla kosovë klerikë të dhunshëm

Lini një Përgjigje