Kosova21 Prill 2024, 20:12

Serbët bojkotojnë iniciativën për shkarkimin e kryetarëve në veri dhe thellojnë ngërçin mes Prishtinës e Beogradit!

Shkruar nga Pamfleti

Serbët bojkotojnë iniciativën për shkarkimin e

Pavarësisht të gjitha lëvizjeve që bëri qeveria e Kosovës, situata mbetet në të njëjtën gjendje si një vit më parë.

Ditën e sotme në katër komunat në Veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan u votua për shkarkimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave. Ky votim u detyrua pasi Serbia kundërshtoi zgjedhjet e mbajtura një vit më parë.

Pavarësisht se votimi u iniciua nga Lista Serbe, disa ditë më parë ajo bëri thirrje për bojkotimin e këtij procesi. Pas mbyllje së të gjitha qendrave të votimit në katër komunat në veri të Kosovës, në orën 19:00, KQZ-ja tha se në këtë proces kishin votuar mbi 200 persona.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit, në Leposaviq kanë votuar 122 persona, në Zubin Potok 17, dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona. Ndërkohë në Zveçan nuk ka votuar askush.

Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.

Për t'i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Me këtë nivel votimi, nuk arrihet kurba e nevojshme për të bërë të mundur shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore. Kështu që ata mbeten ende në detyrë dhe ngërçi në veri mbetet ende i pazgjidhur.

Lidhur me bojkotin e zgjedhjeve, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t'i largojnë kryetarët aktual dhe të zgjedhin kryetarët e rinj, por se ata nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.

Osmani shtoi se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Presidentja theksoi se edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër dhe Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t'i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, shkruan Osmani në rrjetin e saj social “Facebook”.

Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Lista Serbe dhe Beogradi urdhëruan bojkotimin e procesit të votimit në veri.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ai tha se Qeveria e Kosovës ka siguruar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre demokratik.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të mos bëhet një gjë e tillë”, ka shkruar ai.

Pavarësisht të gjithë lëvizjeve që bëri qeveria e Kosovës, situata mbetet në të njëjtën gjendje si një vit më parë./Pamfleti

osmani