TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Shkurt 2024, 10:13

Serbët nisin sërish revoltën, u bllokojnë shqiptarëve hyrjen në Beograd dhe në disa qytete kryesore

Shkruar nga Pamfleti
Serbët nisin sërish revoltën, u bllokojnë shqiptarëve
Pika kufitare në Merdare

Qytetarët serbë do të bllokojnë sot rrugët për automjetet me shoferë shqiptarë që duan të udhëtojnë për në Serbi, pas vendimit të Bankës së Kosovës për heqjen e dinarit serb.

Sipas tyre, bllokimi i automjeteve do të bëhet nga ora 12:00 deri në 15:00, pra për tre orë, si shenjë kundërshtimi të “terrorit” që qeveria e Kurtit po u bën serbëve.

Në bllokim përfshihen të gjitha automjetet të drejtuara nga shqiptarët përmes Merdarit, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe më tej drejt Suboticës.

“Bllokimi i rrugës do të jetë çdo të hënë për tre orë derisa të ndalet terrori i përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë e Metohi. Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të paparashikueshme”, thuhet në njoftim.

Mediat serbe pretendojnë se serbët e “zhvendosur” kanë pritur 25 vjet që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë një jetë të re me fqinjët e tyre shqiptarë të cilët nuk kanë kryer krime ndaj tyre.

Ata i kërkojnë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë së Serbisë që urgjentisht t’u dërgojnë një letër të gjitha organizatave relevante ndërkombëtare, për të ndalur urgjentisht terrorin dhe arrestimin e serbëve të pafajshëm, duke përmendur Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244.

Në listën e kërkesave ishte që të gjithë të “zhvendosurit” të kthehen në shtëpitë e tyre dhe çdo kosto të financohet nga Qeveria e Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të premten gjatë një konference në Beograd se vendimi i autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb ka për qëllim spastrimin etnik të serbëve ndërsa tha se do të kërkojë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se dinari serb ka qenë gjithmonë i paligjshëm në vend dhe është keqpërdorur nga Serbia për financimin e strukturave paralele që kanë kryer veprime të paligjshme dhe të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

Autoritetet në Prishtinë thanë se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje, por presidenti serb hodhi poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës që Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

serbi protesta heqja e dinarit

Lini një Përgjigje