Kosova20 Prill 2023, 07:28

SHBA apel Kosovës: Presim propozim konkret për Asociacionin deri më 2 maj

Shkruar nga Pamfleti
SHBA apel Kosovës: Presim propozim konkret për Asociacionin deri
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se ai pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha zoti Escobar.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.

“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha zoti Escobar.

Ai tha se shpreson që serbët në Kosovë të gjejnë një mënyrë të rikthehen në institucione. Megjithatë zoti Escobar tha se bojkoti nuk duhet të vonojnë themelimin e Asociacionit.

“Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet”, tha ai.

Zoti Escobar e vlerësoi marrëveshjen e Ohrit si “të jashtëzakonshme” dhe tha se nëse ajo zbatohet siç duhet, do të sillte “një epokë të re në marrëdhëniet paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe do t’i hapte rrugën të ardhmes së tyre euro-atlantike.

shba kosova escobar