Dy senatorët amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Kosovë.
Ata, do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Sipas njoftimit për medie nga zyra e kryeministrisë, takimi pritet të mbahet në mesditë, në ora 15:00, ndërsa pas takimit, senatorët dhe kryeministri do t’u drejtohen gazetarëve në një konferencë për media.
Kurti kishte zhvilluar një bisedë telefonike me senatorin amerikan Chris Murphy, të premten e 3 marsit.
Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Kurti kishte njoftuar se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet miqësore mes vendeve.
Pjesë e diskutimeve të këtij takimi ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Vizita e senatorëve amerikanë në rajonin e Ballkanit Perëndimor bëhet me qëllim për të përcjellur mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për aleatët e saj në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe implikimeve për sigurinë evropiane në rajon.
Për Murphyn, kjo është vizita e tij e katërt në Kosovë.
Ai qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë edhe vitin e kaluar, më 21 prill.
Atë kohë, në një konferencë për medie, ai kishte thënë se “koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, është tani”, pasi që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po investojnë kaq shumë për sigurinë e Evropës, Ballkanit e në veçanti të Kosovës, pasi që sipas tij në Ballkan askush tjetër nuk ishte më shumë përkrahës ndaj sanksioneve të Rusisë, sesa Kosova.
”Në diskutimet tona folëm për interesat e përbashkëta si dhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe tash është më urgjente se kurrë, që shtetet si Kosova që janë më në periferi të gëzojnë mbrojtje”, kishte thënë Murphy, por një vit e një muaj pas këtij takimi, nuk ka lëvizur gjë në këtë drejtim.
Ndërkaq në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ishte shprehur se Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe e plotësuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars, nuk është pa rrezik politik, por se ai vlerëson se një gjë e tillë duhet të shtyhet përpara.
Lini një Përgjigje