Kosova21 Maj 2023, 15:58

Dialogu Kosovë-Serbi, Escobar: Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës

Shkruar nga Pamfleti

Dialogu Kosovë-Serbi, Escobar: Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës.

Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

U desh shumë kurajo politike si nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ashtu edhe nga kryeministri Albin Kurti për të arritur atë marrëveshje. Nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Escobar.

Ai deklaroi se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe se beson se të dy liderët mund të tregojnë guximin politik të nevojshëm për të hedhur hapat e duhur.

Ndërsa sa i takon Ballkanit të Hapur, ai ritheksoi se SHBA do të mbështesë të gjitha nismat që afrojnë Ballkanin Perëndimor me Evropën, si dhe nismat që afrojnë vendet e rajonit me njëri-tjetrin dhe që janë të hapura për të gjithë.

Me fjalë të tjera, për sa kohë që Ballkani i Hapur është plotësisht në përputhje me procesin e Berlinit, nuk shoh arsye për ta kundërshtuar dhe mbështetur atë”, tha Escobar.

Ai shtoi gjithashtu se nuk do të thotë se SHBA është më pak mbështetëse e Procesit të Berlinit apo Tregut të Përbashkët Rajonal.

Përderisa qëndrojnë për të njëjtat gjëra, nuk ka arsye për të mos i mbështetur. Dhe nëse dy, tre, katër ose pesë vende vendosin individualisht të shkojnë drejt disa prej atyre prioriteteve nga procesi i Berlinit, pse duhet t'i ndalojmë ata nëse duan të përgatiten paraprakisht? Është mirë, por duhet të jetë në përputhje me procesin e Berlinit”, përfundoi Escobar.

kosovë serbi dialogu