Kosova25 Maj 2023, 08:53

SHBA ultimatum Albin Kurtit: Formimi i Asociacionit, detyrë urgjente për Prishtinën

Shkruar nga Pamfleti
SHBA ultimatum Albin Kurtit: Formimi i Asociacionit, detyrë urgjente
Jeffrey Hovenier

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier deklaroi se formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe është detyrë urgjente për Kosovën.

Hovenier tha se Asociacioni është element thelbësor në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe se ajo duhet të zbatohet si e tillë, në mënyrë që të sigurohet anëtarësimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Kosova u angazhua në vitin 2013 për krijimin e një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe. Ne kemi qenë shumë të qartë për një kohë të gjatë dhe presim që kjo të bëhet dhe tani është një çështje edhe më urgjente sepse është një element thelbësor i përgjegjësisë së Kosovës dhe përkushtimit të Kosovës edhe ndaj Marrëveshjes së Brukselit, por edhe kur është fjala për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi ai.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar Asociacionin si “bosnjezim të Kosovës”.

Çfarë është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe?             

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të përfshijë dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Themelimi i Asociacionit është parashikuar të krijohet që në vitin 2013 me Marrëveshjen e Brukselit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat e qytetarëve të këtyre komunave, kryesisht në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Në një nga pikat e para të marrëveshjes thuhet se në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës për këtë çështje, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi që të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Asociacionin.

Marrëveshja fillestare thekson se Asociacioni do të krijohet mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës – që është një organizatë jofitimprurëse e themeluar për t’i përfaqësuar dhe për t’u shërbyer interesave të këtyre komunave.

Përshkrimi i Asociacionit nga marrëveshja fillestare

Asociacioni i komunave të Kosovës parashihet të funksionojë në Kosovë si organizatë jofitimprurëse e themeluar për t’u shërbyer interesave të komunave të Kosovës.

Kuvendi i tij ka 126 anëtarë dhe përbëhet nga të gjithë kryetarët e komunave dhe nga një këshilltar i zgjedhur për secilin nga dhjetë këshilltarët komunalë dhe përfaqësues nga komunitetet jo-shumicë në kuvendet e komunave.

Misioni i Asociacionit është të krijojë qeverisje lokale efikase, të qëndrueshme dhe demokratike për të përmbushur nevojat dhe shërbimet e komunave.

Marrëveshja shtesë mbi parimet e Asociacionit
Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015 kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Kjo marrëveshje parashikon se Asociacioni do të ketë organet dhe strukturën organizative.

Sipas saj, Asociacioni është pritet të ketë një Kuvend si organ suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Është parashikuar që Kuvendi i Asociacionit të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe udhëzimet administrative në pajtim me statutin që ndërlidhet me objektivat e tij.

Asociacioni pritet të ketë një president dhe një zëvendës president. Presidentin dhe zëvendës presidentin do t’i zgjedhë kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.

formimi i asociacionit shba kurti