TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Janar 2026, 15:23

Shtrenjtohet sërish fatura e energjisë elektrike në Kosovë? KESCO kërkon rritje prej 21 për qind

Shkruar nga Pamfleti

Shtrenjtohet sërish fatura e energjisë elektrike në Kosovë?

Kompania furnizuese e energjisë elektrike në Kosovë, KESCO, ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në 21.3 për qind për vitin 2026.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila tani duhet të vendosë nëse do ta miratojë apo jo propozimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Në rast se ZRRE-ja e miraton edhe këtë herë kërkesën e KESCO-s, kjo do të shënonte herën e tretë brenda katër viteve të fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.

ZRRE-ja çdo vit bën shqyrtimin dhe përcaktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe janë në fuqi deri më 31 mars të vitit pasues.

Në vitin 2023, ZRRE-ja miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15 për qind, ndërsa në vitin 2025 me 16.1 për qind. Ndërkaq, në vitin 2024 tarifat u ulën me 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzonin mbi 800 kilovat-orë, si dhe me 3 për qind për konsumatorët komercialë dhe industrialë.

Aktualisht, tarifa ditore për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat-orë në muaj është 9.05 centë për kilovat-orë, ndërsa tarifa e natës (nga ora 23:00 deri në 08:00) është 3.88 centë për kilovat-orë.

Për kilovat-orët e shpenzuara mbi bllokun prej 800 kilovat-orësh, çmimi është 15.43 centë gjatë ditës dhe 7.28 centë gjatë natës.

kosov kesco energjia elktrike

Lini një Përgjigje