TAGS-AT E JAVËS

Kosova22 Mars 2023, 16:37

Skadojnë afatet, Lista Serbe bojkoton zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

Skadojnë afatet, Lista Serbe bojkoton zgjedhjet e 23 prillit në veri

Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet që do të mbahen në Veri të Kosovës më 23 prill. Sot ishte afati i fundit për regjistrimin e partive dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë prej tyre në KQZ.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviç, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023”, ka thënë Elezi.

Ndërkohë partitë që kanë aplikuar më herët, para se të bëhej shtyrja e zgjedhjeve nuk kanë pasur nevojë të regjistrohen sërish.

Dje në një deklaratë për media, Lista Serbe ka deklaruar që nuk do të kandidojnë në zgjedhjet e 23 prillit në Veri, pasi, sipas tyre, nuk iu janë plotësuar kushtet për të cilat kanë braktisur institucionet.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, deklaruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës dhe Metohisë, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës dhe Metohija”, thuhej në njoftimin e tyre.

Kujtojmë që më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviçit.

kosova zgjedhje 23 prilli

Lini një Përgjigje