Kosova23 Prill 2023, 07:35

Mbahen sot zgjedhjet në veri të Kosovës, Kurti dhe Osmani akuza Beogradit: Ata po frikësojnë qytetarët!

Shkruar nga Pamfleti
Mbahen sot zgjedhjet në veri të Kosovës, Kurti dhe Osmani akuza
Qendrat e votimit janë të vendosura në kontenierë

Ditën e sotme ashtu siç ishte paralajmëruar do të mbahen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në katër komunat janë 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “konteinerë”.

Në të kaluarën, në këtë zonë janë hapur 44 qendra votimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri të votojnë.

Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.

Ndërsa nga ana tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës – Lista Serbe – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se “është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”.

Vuçiç shtoi se Brukseli i ka dhënë Kosovës liberalizimin e e vizave, pranimin në Këshillin e Europës dhe tani së fundmi, njohjen e zgjedhjeve. Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se do të njohin rezultatin e dalë nga zgjedhjet lokale të së dielës në veri të Kosovës. 

zgjedhjet në veri kosovë