Kosova19 Prill 2024, 14:06

Stërvitjet ushtarake serbe, Kurti: Kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor

Shkruar nga Pamfleti

Stërvitjet ushtarake serbe, Kurti: Kërcënim për

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vorbulla 2024”, paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Më 19 prill, Forcat e Armatosura Serbe mbajnë stërvitjet vjetore në poligonin Peshter. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se shefi i këtij misioni, gjeneralmajori, Ozkan Ulutas, do të vëzhgojë stërvitjet në Serbi, për të cilat Beogradi ka njoftuar KFOR-in për përgatitjet për mbajtjen e tyre.

Gjatë mbikëqyrjes së punimeve që po bëhen për ndërtimin e një rruge në Klinë, Kurti u pyet nga gazetarët lidhur me situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ai tha se në veri, organet kosovare të sigurisë janë “të pranishme dhe funksionale”, por shtoi se 30 kilometra larg kufirit me Kosovën, Serbia po kryen stërvitje ushtarake.

“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha Kurti.

Por, sa i përket pjesëmarrjes të shefit të KFOR-it në këto stërvitjeve në Serbi, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli tha pjesëmarrja e Ulutas “reflekton raportin efektiv që KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe kanë zhvilluar përgjatë viteve”, përfshirë edhe përmes kontakteve të rregullta që kanë me shefin e ushtrisë serbe, “por edhe përmes vëzhgimeve në të kaluarën që KFOR-i u ka bërë stërvitjeve të Forcave të Armatosura Serbe”.

Stërvitjet nga afër i përcjell edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se stërvitjet po mbahen me qëllim të përmirësimit të aftësive trajnuese të komandave dhe njësive të ushtrisë serbe për të zgjidhur sfidat taktike gjatë përgatitjeve dhe kryerjeve të operacioneve luftarake.

Në stërvitje marrin pjesë komponentë ajrorë të ushtrisë dhe forcat speciale.

Ministria serbe e Mbrojtjes tha se për nga numri dhe shumëllojshmëria e forcave luftuese që morrin pjesë, këto janë ndër stërvitjet më të mëdha që kanë kryer Forcat e Armatosura Serbe.

Për praninë dhe stërvitjet ushtarake serbe pranë Kosovës, Kosova kishte reaguar edhe më herët.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Zveçan, autoritetet në Kosovë disa herë kanë akuzuar Serbinë se vendosë afër kufirit trupat e saj.

Në mars të këtij viti ishte hera e fundit që Kosova pretendoi se Serbia kishte dërguar njësite ushtarake pranë kufirit, por këto pretendime të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u hodhën poshtë nga autoritetet serbe.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. /REL

kosove albin kurti serbi