Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Nis Kuvendi, opozita bojkoton seancën /Revolta qytetare bën me ‘hije’ qeverinë, blindojnë Kuvendin me policë
Ka nisur këtë të enjte seanca e radhës plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike kanë munguar sërish në sallë, duke vijuar bojkotin e punimeve parlamentare.
Seanca u hap nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili prezantoi rendin e ditës dhe çështjet që do të shqyrtohen gjatë punimeve.
Pika e parë e rëndësishme në axhendë është interpelanca me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ndonëse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në seancë.
Gjatë seancës pritet të diskutohen dhe miratohen një sërë projektligjesh që lidhen me bujqësinë, menaxhimin e kimikateve, akuakulturën dhe mbrojtjen e tokës bujqësore.
Protestat qytetare të 46-ditëve të fundit duket se kanë lënë me ‘hije’ qeverinë. Ndërkohë që sot mbahet në Kuvend seanca e radhës plenare, ajo që vihet re është që në oborrin para Parlamentit, janë vendosur forca të shumta policore dhe autobote me ujë. Ndërkohë në zonë nuk ka asnjë protestues.
Masat janë marrë duke pasur parasysh që në një nga seancat e shkuara para Kuvendit u mbajt një protestë, me qytetarët që kërkonin largimin e qeverisë, dhe ku pati edhe përplasje mes tyre dhe policisë, me këtë të fundit që ushtroi dhunë, spraj lotsjellës dhe arrestoi 19 protestues, të cilët më pas u liruan nga gjykata.
“Shqipëria e Re” nisë të marrë formë/ Spiropali sfidon Ramën, dërgon mocionin për hapjen e partisë në Asamblenë e PS-së
Ish-ministrja, Elisa Spiropali duket se ka vendosur ta dërgojë deri në fund ‘luftën’ e saj të re brenda Partisë Socialiste. Ditën e sotme ajo ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e partisë, një nismë që ajo e kishte paralajmëruar më herët dhe që ishte përmendur edhe nga kryeministri Edi Rama në një prej daljeve të tij publike.
Dorëzimi i mocionit vjen pas muajsh kritika nga deputetja ndaj mënyrës se si funksionon partia, duke ngritur shqetësime për mungesën e debatit të brendshëm, përqendrimin e vendimmarrjes dhe nevojën për një model të ri politik. Sipas saj, ky proces synon të nxisë një përfshirje më të gjerë të anëtarësisë dhe të adresojë shqetësimet e evidentuara gjatë periudhës së fundit.
Në një deklaratë për mediat, Spiropali tha se dokumenti nuk është vetëm i saj, por është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ajo theksoi se një marrëveshje e re nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe të shoqërisë.
PD zgjedh kupolën e 're' drejtuese/ Noka rikonfirmohet Sekretar i Përgjithshëm; Këlliçi fiton përballë Boçit!
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka përfunduar procesin e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm, drejtuesve të sekretariateve dhe anëtarëve të Komisionit të Apelimit.
Ashtu siç pritej, mes polemikash të shumta, Flamur Noka është rikonfirmuar në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, pasi siguroi 184 vota, përballë rivalit të tij Saimir Korreshi, i cili mori 84 vota.
Në drejtimin politik të partisë nuk pati ndryshime edhe për Gazment Bardhin, i cili vijon të mbetet kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si dhe për Agron Gjekmarkajn, i cili ruan pozicionin e nënkryetarit.
Në garën për postet e tjera të nënkryetarëve u zgjodhën Belind Këlliçi, i cili fitoi ndaj Luçiano Boçit me rezultatin 177 me 113 vota, Nikola Kedhi, që triumfoi ndaj Jonathan Panos me 174 vota kundrejt 101, si dhe Erisa Bajaziti, e cila siguroi 193 vota, duke lënë pas kandidaten Besa Manaj me 69 vota. Me zgjedhjen e tyre, Kedhi do të përfaqësojë të rinjtë në strukturat drejtuese të partisë, ndërsa Bajaziti diasporën.
Këshilli Kombëtar votoi gjithashtu edhe për përbërjen e sekretariateve të reja. Klevis Balliu u zgjodh Sekretar Organizativ, Andi Mustafaj mori drejtimin e Sekretariatit për Burimet Njerëzore, ndërsa Marash Logu do të drejtojë Sekretariatin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore. Viola Kapedani u zgjodh Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun, Eva Metaj do të mbulojë Organizatat Partnere dhe Shoqërinë Civile, ndërsa Fjoralba Dizdari u emërua Sekretare për Integrimin Evropian.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje