
Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Albin Kurtin për planin franko-gjerman...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po e mbajnë nën presion kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sa i takon planit të paqes me Serbinë. Ai sot ka pasur një bisedë të gjatë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Kryeministri doli me një deklaratë për mediat, ku bën me dije se gjatë kësaj bisede, Kurti konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e ditëve në vijim drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Duhet theksuar se të hënë do të mbahet takimi i radhës në Bruskel dhe SHBA duket se po jep instruksionet që palët të gjejnë emëruesin e përbashkët.
Kurti në këtë telefonatë ka theksuar se përveç njohjes reciproke që duhet të jetë në qendër të marrëveshjes, duhet të trajtohet edhe e drejtat e pakicave kombëtare.
“Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë kësaj bisede, z. Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me secilin prej tyre dhe në fund do të ulen bashkë.
Lini një Përgjigje