TAGS-AT E JAVËS

Kosova15 Dhjetor 2025, 15:08

Vjosa Osmani në Mitrovicë, LDK e PDK sulm Presidentes së Kosovës: Po i shërben përçarjes

Shkruar nga Pamfleti

Vjosa Osmani në Mitrovicë, LDK e PDK sulm Presidentes së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar kryetarin e ri të Mitrovicës, Faton Peci, për ta uruar për marrjen e detyrës.

Peci ka thënë se në takim është diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës dhe mbështetjes institucionale.

Ndaj vizitës së Osmanit ka pasur reagim nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së. Ai ka thënë se Osmani nuk përfaqëson unitet, por “favorizime e përçarje”.

“Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Vajtja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Gjithashtu për vizitën e Osmanit ka reaguar edhe Blerta Deliu nga PDK-ja.

“Favorizimet politike nuk i bëjnë nder Presidentes. Dorëheqje ose respekt i barabartë!”, ka thënë Deliu.

Ndaj vizitës së Osmanit ka reaguar edhe analisti Shenoll Muharremi. Ai e ka quajtur vizitën e Osmanit te kryetari i ri i Mitrovicës, si turp i madh.

“Sot na paska turpëruar Presidentja. Vjosa Osmani, shkoi në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë për ta uruar një kryetar, po nuk ka shkuar ta urojë askënd tjetër. Kjo, jo vetëm që është diçka e pazakontë, por edhe është turp i madh për shkak të asaj që çka krejt ekspozon kjo aferë. Pse? Për shkak se ajo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme si e kërkon kushtetuta. Po tregon që edhe ajo ka hise në fitoren e Mitrovicës. Pse nuk shkoi me uru në Prizren apo Prishtinë? Ferizaj?”, ka shkruar Muharremi.

Reagimi nga Presidenca

Përballë kritikave ka reaguar edhe këshilltari i Vjosa Osmanit, Bekim Kupina. Në një deklaratë ai shprehet se të thuash se Presidentja ‘nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër’,  është tërësisht e pavërtetë.

“Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë pretendimet. Presidentja ka qenë edhe në Dragash, që udhëhiqet nga LDK-ja, ka qenë edhe në Ferizaj, që udhëhiqet nga PDK-ja dhe ka qenë në Gjilan, që udhëhiqet nga Vetëvendosje. 

Pra, narrativa se Presidentja paska ‘zgjedhur njërin e ka injoruar të tjerët’, është e pavërtetë, tendencioze dhe e ndërtuar për konsum ditor, jo për interes publik.

Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale”, ka shkruar Kupina.

Lini një Përgjigje