
Tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, përfshirë edhe bashkëshortin e saj Naim Murseli, dalin sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës ku do të mbahet seanca dëgjimore në orën 09:30.
Prokurorja e Shtetit ka përpiluar kërkesën për paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerëve që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
“Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është përpiluar nga Prokurorja e Shtetit ndaj tre personave të dyshuar, të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë dhe brenda afatit ligjor do të delegohet në gjykatë”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj.
33-vjeçarja Liridona Murseli, u vra të mërkurën e 29 nëntorit, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli pasi ka pranuar se ka porositur vrasjen e Liridonës duke paguar për një shumë prej 30 mijë eurosh.
Pjesëtari i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kushtrim Kokalla, gjithashtu është arrestuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë. Ai është nipi i Naim Murselit, bashkëshortit të viktimës.
Lini një Përgjigje