TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Qershor 2026, 08:51

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, sot voton diaspora

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, sot voton diaspora

Ka nisur sot procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për qytetarët e regjistruar jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i votimit organizohet në 30 qendra votimi të vendosura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës. Konkretisht, votimi zhvillohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, duke u mundësuar qytetarëve të regjistruar të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.

Procesi ka nisur fillimisht në Turqi, ku votuesit kanë filluar të votojnë në Ambasadën e Kosovës në Ankara dhe Konsullatën në Stamboll. Më pas, votimi vijon edhe në vende të tjera ku jeton një numër i madh i diasporës kosovare, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën, Francën dhe Austrinë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se 27.724 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në misionet diplomatike. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme përfundon edhe procesi i votimit me postë për më shumë se 104 mijë qytetarë të regjistruar jashtë vendit.

Pas mbylljes së votimit, të gjitha fletëvotimet e mbledhura në ambasada, konsullata dhe përmes postës do të transportohen në Kosovë, ku do t’i nënshtrohen procesit të numërimit.

Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit.

Lini një Përgjigje