TAGS-AT E JAVËS

Kosova 4 Qershor 2026, 14:10

Kërcënohet ministri, Prokuroria e Pejës nis hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Kërcënohet ministri, Prokuroria e Pejës nis hetimet
Elbert Krasniqi

Ministri në detyrë deklaron se ka marrë një telefonatë kërcënuese nga një person i panjohur, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.

Ministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Elbert Krasniqi, ka denoncuar në Polici një rast kërcënimi që, sipas deklarimit të tij, ka ndodhur përmes telefonit.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime pranë hetimit, Krasniqi është paraqitur më 3 qershor në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Pejë. Ai ka njoftuar autoritetet se një mbrëmje më parë kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga një person që nuk e njihte.

Pas raportimit, Policia ka informuar Prokurorinë Themelore në Pejë. Prokurorja kujdestare për Krime të Rënda ka autorizuar regjistrimin e rastit penal për veprën “Kanosje”.

Për shkak të funksionit publik të të dëmtuarit dhe rrethanave të rastit, procedurat hetimore pritet të kalojnë në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Deri tani nuk janë publikuar informacione mbi përmbajtjen e kërcënimit apo personin që dyshohet se e ka kryer atë.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të ngjarjes.

 

ministri kercenim kosove

Lini një Përgjigje