TAGS-AT E JAVËS

Kosova13 Tetor 2025, 10:08

Zgjedhjet në Kosovë: Kush fitoi, kush humbi dhe çfarë fshihet pas pjesëmarrjes së ulët?

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

 Zgjedhjet në Kosovë: Kush fitoi, kush humbi dhe çfarë

Pjesëmarrje rekord e ulët, sinjale alarmi për besimin qytetar në institucionet vendore

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë e rikonfirmuan një të vërtetë të heshtur që politika kosovare mundohet ta injorojë: demokracia formale nuk garanton përfaqësim real. Me një pjesëmarrje prej vetëm 39.5 %, më e ulëta në ciklet e fundit zgjedhore, qytetarët duket se nuk besojnë më se kutia e votimit do ta ndryshojë jetën e tyre. Kjo shifër është më shumë sesa statistikë; është një akt mosbesimi politik që kërkon lexim të thelluar.

Në sipërfaqe, zgjedhjet kaluan qetë. Por pas këtij “normaliteti” që mediat dhe institucionet përpiqen ta shesin si sukses demokratik, qëndrojnë disa të dhëna shqetësuese: raportime për fotografim të fletëvotimeve, ndihmë të paautorizuar në kabinat e votimit, probleme me listat e votuesve dhe madje ndryshime të vendvotimeve pa paralajmërim që u mohuan qytetarëve të drejtën elementare për të votuar. Të gjitha këto nuk janë incidente të izoluara, por simptomë e një sistemi që ende vuan nga dobësia institucionale dhe mungesa e besimit publik.

Rezultatet e dala deri më tani dëshmojnë një fragmentim të skenës politike lokale: asnjë parti nuk dominon plotësisht. PDK ruajti bastionet tradicionale si Ferizaj e Skenderaj, VV konfirmoi praninë në Kamenicë e Podujevë, ndërsa LDK dhe AAK rikuperuan disa nga humbjet e mëparshme. Por tabloja mbetet e paqartë, sepse shumica e qyteteve të mëdha shkojnë në balotazh, ku roli i aleancave të momentit dhe i diasporës do të jetë vendimtar.

Nga ana tjetër, Lista rifitoi pa konkurrencë realë shumicën e komunave me shumicë serbe. Kjo nuk është më një lajm, por një rikujtim se ndarja politike dhe institucionale e Kosovës në dy realitete paralele; një të kontrolluar nga Prishtina dhe tjetrën nga Beogradi, është ende në fuqi. Prania simbolike e KQZ-së në këto zona nuk është garanci e integrimit, por një formë e gënjeshtërt e përfshirjes që i shërben më shumë retorikës ndërkombëtare sesa faktit në terren.

Këto zgjedhje nuk dhanë vetëm rezultate, por reflektuan edhe lodhjen kolektive me politikën. Pjesëmarrja e ulët nuk është dështim i qytetarëve, por dështim i klasës politike për t’u ofruar atyre një vizion dhe një alternativë të besueshme. Demokracia nuk matet me numrin e fletëve të numëruara, por me kuptimin që qytetarët u japin atyre. Dhe në Kosovë, ky kuptim po zbehet gjithnjë e më shumë.

Në fund të fundit, më shumë se kush fitoi apo humbi në nivel komunal, pyetja kyçe është: a ka Kosova një model të qëndrueshëm të përfaqësimit politik që tejkalon ndarjet etnike, lojërat e pushtetit dhe mungesën e llogaridhënies? Përgjigja, të paktën për tani, mbetet pezull./Pamfleti

zgjedhjet në kosovë kush fitoi kush humbi

Lini një Përgjigje