Kosova21 Prill 2023, 12:17

Zgjedhjet në Veri, Pantoviç: Serbët u detyruan me forcë të vendosnin në barrikada

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Veri, Pantoviç: Serbët u detyruan me forcë

Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetare të Komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviç, në një intervistë për KosovaPress deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes dhjetëvjeçare të Listës Serbe në këtë komunë.

Ajo ka akuzuar partinë e Goran Rakiçit se e ka shndërruar veriun si një Kore të Veriut ku serbët kanë jetuar në terror.

Pantoviç, që me profesion është juriste, konsideron se niveli i papunësisë dhe rasteve sociale është i lartë, ndërsa ka akuza edhe për nepotizëm. Ajo premton se do të ndërhyjë menjëherë duke rikthyer meritokracinë si kriter për punësim në këtë komunë.

Sipas saj, bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe komuniteteve të tjera, është i domosdoshëm dhe në të mirën e të gjithëve.

Pas dhjetë viteve të udhëheqjes së Listës Serbe, këtij qyteti i duhet ndryshimi… Duhet ndryshim i madh, janë shumë të rinj të papunësuar, ka shumë raste sociale, mbretëron nepotizmi ku punësohen në baza familjare, shoqërore, kështu që këtë dua ta ndryshoj që në fillim, në bazë të asaj që është në mundësitë e mia. Më vonë, natyrisht në marrëveshje me kryeministrin dhe me përgjegjësit e pushtetit, do të punojmë në rregullimin e qytetit, infrastrukturë e të tjera, kështu që të gjitha ngadalë dhe me radhë do t’i bëjmë, por ndryshimet vërtetë janë të domosdoshme”, deklaroi Pantoviç.

Ajo deklaroi se të gjithë serbët janë detyruar të zbatojnë urdhrat që vinin nga Lista Serbe, nëse i kërkohej të shkonin në tubime ishin të detyruar të dilnin, gjithashtu nëse iu kërkohej të dilnin në barrikada duhej që serbët të dilnin në barrikada.

Problemet kryesore të qytetarëve janë se ata kanë jetuar thjeshtë si në Korenë Veriore, sistem një partiak, nën terror. Do të thotë nëse presidenti thotë të gjithë në tubim, atëherë të gjithë duhet të dalin në tubim, të gjithë në barrikada, të gjithë në barrikada. Do të thotë njerëzit kanë qenë të detyruar, janë kërcënuar, kështu që mendoj se njerëzve duhet t’u japim lirinë e të shprehurit dhe të drejtat… Shpresoj se vetëdija njerëzore ka filluar të funksionojë pas dhjetë vite shtypjeje, më në fund njerëzit të kuptojnë se vërtetë ndryshimi është për ta… Ne duhet thjeshtë, duam apo jo, të bashkëpunojmë për të mirën e të gjithë neve, si të serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, turqve, romëve”, ka thënë Pantoviç.

pentovic serbet veri