Kosova25 Maj 2023, 09:00

Zgjedhjet në veri të Kosovës, betohen sot kryetarët e rinj të komunave  

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në veri të Kosovës, betohen sot kryetarët e rinj

Në veri të Kosovës, sot pritet të betohen 3 kryetarët e rinj të komunave të Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Të trija komunat janë të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në Leposaviç, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.

Ndërsa në Zveçan, kryetari Ilir Peci, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune.

Që të tre kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill. Këto zgjedhje u organizuan pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në vend, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për targat, u largua nga institucionet e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Javën që shkoi, më 19 maj, kryetari i ri Mitrovicës së Veriut – komunë gjithashtu e banuar me shumicë serbe, Erden Atiç, e ka bërë betimin para kuvendit komunal.

Derisa Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Edhe nga Beogradi zyrtar ka pasur reagime që kundërshtojnë ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në komunat të banuara me shumicë serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, ka thënë se kjo është përpjekje për presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”./ Rel