Shkencëtarët në CERN (Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore me qendër në Zvicër), kanë arritur të vëzhgojnë për herë të parë një shenjë shumë të vogël të lënë nga një grimcë elementare, gjatë eksperimenteve në Large Hadron Collider (LHC).
Bëhet fjalë për një kuark me energji të lartë që kalon përmes asaj që quhet plazmë kuark-gluon – një gjendje ekstreme e materies që mendohet se ka ekzistuar menjëherë pas Big Bang, kur Universi ishte vetëm disa mikrosekonda i vjetër.
Në atë periudhë, temperatura ishte aq e lartë sa grimcat nuk ishin formuar ende siç i njohim sot. Materia ishte si një “supë” shumë e nxehtë ku përbërësit më të vegjël lëviznin lirshëm.
Duke përplasur bërthama atomike me shpejtësi shumë të madhe, shkencëtarët rikrijojnë për një çast këto kushte ekstreme. Në një nga këto eksperimente, ata zbuluan se kuarku lë pas një “hollim” shumë të lehtë në këtë plazmë, diçka e ngjashme me gjurmën që lë një varkë në ujë.
Edhe pse efekti është shumë i vogël (më pak se 1%), ai është i rëndësishëm sepse ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë si ka qenë Universi në fillimet e tij.
Ky zbulim konsiderohet një hap i rëndësishëm për të zbuluar se si u formua materia dhe si evoluoi Universi deri në formën që njohim sot.
Lini një Përgjigje