Margherita Degaudenzi u linçua në një fshat malor të Piemontes pasi banorët e akuzuan për magji. Historianët e konsiderojnë sot rastin e saj një shembull të dhunës ndaj grave dhe përjashtimit shoqëror.
Më 22 janar 1828, në malet e Valsesias në Itali, u vra ajo që shumë studiues e konsiderojnë “shtriga e fundit e Europës”. Margherita Degaudenzi, e njohur nga banorët si “Stria Gatina”, u linçua në fshatin Cervarolo të provincës së Verçelit, pasi u akuzua se kishte shkaktuar vdekjen e një bashkëfshatari dhe sëmundjen e rëndë të një tjetri.
Sipas dëshmive të kohës, Margherita ishte një grua e moshuar, e ve dhe me karakter të fortë, gjë që e kishte bërë objekt dyshimesh dhe paragjykimesh në komunitetin ku jetonte. Banorët besonin se ajo zotëronte fuqi të mbinatyrshme dhe se ishte përgjegjëse për fatkeqësitë që godisnin zonën.
Historiania Giovanna Potenza, autore e librit “Malefiche. Storia della caccia alle streghe in Italia”, argumenton se arsyeja e vërtetë e persekutimit të saj nuk kishte lidhje me magjinë. Sipas saj, gratë e akuzuara si shtriga ishin shpesh të veja, shëruese popullore ose gra që jetonin jashtë normave të kohës dhe konsideroheshin kërcënim për rendin shoqëror.
Ndryshe nga shumë raste të njohura të gjuetisë së shtrigave në Europë, Margherita nuk u dënua pas një procesi gjyqësor. Ajo u bë viktimë e një forme më të vonshme dhe më pak të dukshme të përndjekjes, ku frika, paragjykimi dhe thashethemet vazhdonin të ushqenin dhunën ndaj personave të margjinalizuar.
E ve dhe me origjinë nga Ferrara, Margherita ishte zhvendosur në Cervarolo bashkë me vajzën e saj. Ajo jetonte nga puna e rëndomtë në bujqësi, por reputacioni si “shtrigë” e kishte ndjekur edhe në vendbanimin e ri. Banorët besonin se parashikimet e saj realizoheshin dhe kjo mjaftonte për të ushqyer dyshimet.
Ngjarja që çoi në vrasjen e saj nisi pas një konflikti për pronësinë e një arre, e cila përbënte një burim të rëndësishëm ushqimi dhe të ardhurash për Margheritën. Gjatë debatit me dy fqinjë, ajo i paralajmëroi të mos e prisnin pemën. Pak muaj më vonë, njëri prej tyre vdiq papritur, ndërsa tjetri u sëmur rëndë.
Për banorët, kjo ishte prova se Margherita kishte hedhur një mallkim.
Dy burra hynë në shtëpinë e saj dhe e vranë me shkopinj para syve të vajzës së saj. Më vonë, hetimet zbuluan se disa përfaqësues të administratës lokale, përfshirë nënkryetarin e komunës së asaj kohe, kishin nxitur ndëshkimin e saj.
Megjithëse autorët e vrasjes u dënuan me shtatë dhe dhjetë vjet burg, ata nuk vuajtën asnjë ditë dënim. Pas arratisjes nga fshati, përfituan nga amnistia e shpallur me rastin e ngjitjes në fron të mbretit Carlo Alberto të Savojës në vitin 1831 dhe u kthyen si njerëz të lirë.
Sot, studiuesit e shohin rastin e Margherita Degaudenzit si një shembull të dhunës ndaj grave dhe të mekanizmave me të cilët shoqëritë e izolojnë dhe fajësojnë ata që konsiderohen të ndryshëm. Në Varallo, një pllakë përkujtimore kujton ende “Stria Gatinën”, gruan që u bë viktimë e frikës dhe paragjykimeve të kohës së saj. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje