TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle25 Nëntor 2025, 11:26

Nga vdekja e Fidel Kastros tek ajo e Diego Maradonës, ja çfarë ka ndodhur më 25 nëntor

Shkruar nga Pamfleti
Nga vdekja e Fidel Kastros tek ajo e Diego Maradonës, ja çfarë
Fidel Castro dhe Maradona /

Fidel Kasto e transformoi vendin e tij në shtetin e parë komunist në Hemisferën Perëndimore. Ai u bë simbol i revolucionit komunist në Amerikën Latine. E mbajti titullin e kryeministrit deri në vitin 1976, dhe më pas filloi një mandat të gjatë si president i Këshillit të Shtetit.

E dorëzoi pushtetin në korrik 2006 për shkak të problemeve shëndetësore dhe hoqi dorë zyrtarisht nga presidenca në shkurt 2008. Kastro lindi në Kubën juglindore. Babai i tij, Angel, një emigrant nga Spanja, ishte një fermer shumë i pasur nga kultivimi i kallamit të sheqerit.

Fideli ndoqi shkollën fillore dhe të mesme katolike, ku ra në sy për aftësitë sportive. Në vitin 1945 nisi studimet për drejtësi në Universitetin e Havanës, ku nisi të aktivizohet në politikë. Dy vite më vonë, iu bashkua një përpjekjeje të pasuksesshme nga emigrantët dominikanë dhe kubanezë për të pushtuar Republikën Dominikane dhe rrëzuar gjeneralin Rafael Trujillo.

Më pas mori pjesë në trazirat që shpërthyen në Bogota të Kolumbisë. Pas diplomimit në

vitin 1950, Kastro filloi të ushtronte profesionin e avokatit dhe u bë anëtar i Partisë Reformiste. Ai do garonte për këtë parti për zgjedhjet e planifikuara në qershor 1952. Por ato u anuluan nga ish-presidenti kubanez, gjenerali Fulgencio Batista, që e rrëzoi qeverinë e presidentit Karlos Sokaras. Pasi dështuan të gjitha mjetet ligjore për rrëzimin e diktaturës e re të Batistës, në vitin 1953 Kastro filloi të organizonte një forcë rebele.

Më 26 korrik 1953, ai udhëhoqi rreth 160 burra në një sulm në kazermat ushtarake Monkada në Santiago de Kuba, me shpresën se do të nxiste një kryengritje popullore. Shumica e luftëtarëve u vranë dhe vetë Kastro u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg.

Ai dhe vëllai i tij Raul u liruan falë një amnistie politike në vitin 1955 dhe shkuan në Meksikë për të vazhduar fushatën e tyre kundër regjimit të Batistës. Atje Fidel Castro organizoi emigrantët kubanë në një grup revolucionar të quajtur “Lëvizja e 26 Korrikut”.

Më 2 dhjetor 1956, Kastro dhe një ekspeditë e armatosur prej 81 burrash zbarkuan në bregun lindor të Kubës nga jahti “Granma”. Të gjithë u vranë ose u kapën, përveç Fidel dhe Raul Kastros, Ernesto Çe Gevarës dhe 9 të tjerëve, të cilët u tërhoqën në Sierra Maestra për të zhvilluar luftë guerile kundër forcave të Batistës.

Me ndihmën e një numri gjithnjë e në rritje vullnetarësh revolucionarë në të gjithë ishullin, forcat e Fidel Kastro, arritën një sërë fitoresh mbi forcat e demoralizuara të qeverisë së Batistës. Propaganda e Kastros ishte shumë efektive dhe ndërsa mbështetja e brendshme politike u zbeh dhe humbjet ushtarake u shtuan, Batista u arratis nga vendi më 1 janar 1959. Kështu, forca e Kastros prej 800 guerrilasish kishte mposhtur një ushtri profesioniste prej 30.000 burrash. Në shkurt 1959, Kastro u bë kryeministër. Edhe pse kishte premtuar të rivendoste kushtetutën e vitit 1940, një administratë të ndershme, rivendosjen e lirive të plota civile dhe politike si dhe reforma të moderuara, Kastro filloi të ndiqte politika më radikale. Gjithçka u shtetëzua dhe bizneset dhe pronat bujqësore amerikane u shpronësuan, dhe nisi afrimi i madh me Bashkimin Sovjetik. SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me vendin ishullor në janar të vitit 1961. Në prill të atij viti, qeveria amerikane armatosi fshehurazi mijëra emigrantë kubanë për të rrëzuar qeverinë e Kastros.

Por zbarkimi i tyre në Gjirin e Derrave u neutralizua nga forcat e armatosura të Kastros. Kuba filloi të blinte armë nga Bashkimi Sovjetik , i cili shpejt u bë mbështetësi dhe partneri kryesor tregtar i vendit. Në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik vendosi fshehurazi në ishull raketa balistike bërthamore që mund të godisnin qytetet amerikane, dhe në përballjen që pasoi me Shtetet e Bashkuara, bota iu afrua një lufte bërthamore.

Kriza përfundoi kur Bashkimi Sovjetik pranoi të tërhiqte armët e tij bërthamore nga Kuba, teksa në këmbim Shtetet e Bashkuara tërhoqën raketat bërthamore në Turqi, dhe premtuan të mos përpiqeshin më të rrëzonin regjimin e Kastros. Ndërkohë, Kastro krijoi një qeveri njëpartiake për të ushtruar kontroll diktatorial mbi të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe kulturore të Kubës.

Nga vdekja e Fidel Kastros tek ajo e Diego Maradonës, ja çfarë
Diego Armando Maradona dhe Fidel Castro /

Të gjitha kundërshtimet politike u shtypën pa mëshirë. Shumë anëtarë të klasave të larta dhe të mesme kubaneze u ndjenë të tradhtuar nga këto masa dhe zgjodhën të emigronin në Shtetet e Bashkuara. Kastro zgjeroi shërbimet sociale që u ofroheshin falas.

Por ekonomia kubaneze, dështoi të arrinte një rritje të ndjeshme ose të zvogëlonte varësinë e saj nga eksporti kryesor i vendit: sheqeri. Kështu Kuba u bë gjithnjë e më e varur nga politikat tregtare sovjetike për të ruajtur standardin e saj modest të jetesës përballë embargos së vazhdueshme tregtare të Shteteve të Bashkuara.

Në fundin e vitit 1993, vetë vajza e Kastros kërkoi azil në Shtetet e Bashkuara, nga ku kritikoi hapur sundimin e babait të saj. Vitin pasardhës, trazirat ekonomike dhe sociale çuan në demonstrata antiqeveritare, përmasat e të cilave nuk ishin parë në Kubë për rreth 35 vjet. Kastro u detyrua të hiqte kufizimet për ata që donin të largoheshin nga vendi dhe mijëra njerëz të tjerë ikën në SHBA.

Ngjarje të tjera të rëndësishme

25 Nëntor 1915 - Lindi në Valparaiso të Kilit Augusto Pinoçet, udhëheqësi i juntës ushtarake që përmbysi qeverinë socialiste të presidentit Salvador Alende. Gjatë sundimit të tij diktatorial 16-vjeçar, u tortoruan dhe ekzekutuan dhjetëra mijëra kundërshtarë të regjimit.

25 Nëntor 1936 - Gjermania dhe Japonia nënshkruan Paktin Anti-Komintern kundër Bashkimit Sovjetik.

25 Nëntor 1942  - Lezli Grovs dhe J.Robert Openhajmer zgjedhin Los Alamos në Nju Meksiko si vendin e “Projektit Y”, i cili ndërtoi bombën e parë bërthamore.

25 Nëntor 1970 - Shkrimtari japonez Mishima Jukio dhe 4 anëtarë të Shoqërisë së Mburojës, një ushtri private e formuar prej tij për të ruajtur shpirtin luftarak të Japonisë, pushtuan një bazë ushtarake në Tokio. Pak më vonë, Jukio kreu vetëvrasje.

25 Nëntor 2005 - Vdes futbollisti irlandez Xhorxh Best, një nga sulmuesit më të mirë në historinë e futbollit dhe një figurë ikonë e Mançester Junajtid në Premierligën angleze.

25 Nëntor 2020 - Vdes ylli i futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona. Ai konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i njohur për golin e realizuar nga “Dora e Zotit” në Kupën e Botës së vitit 1986./Përgatiti Pamfleti

fidel castro diego maradona 25 nëntor

Lini një Përgjigje