Kronike18 Shkurt 2024, 17:30

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, avokati i Dritan Rexhepit kërkon dëshmitë e vëllezërve të 49-vjeçarit: SPAK t'i sekuestrojë telefonat

Shkruar nga Pamfleti

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, avokati i Dritan Rexhepit

Ka nisur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procesi gjyqësor ndaj 7 të pandehurve për organizimin e rrëmbimit dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Në seancë avokatët e të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi (Docaj), Aldo Majnishta, Martin Bleta, Artan Doçaj, Geraldo Martini dhe Korado Gështenja, bënë kërkesat për prova. Në sallë pati debate mes palëve pasi mbrojtësit pretendojnë se nuk ka prova nga prokuroria për të fajësuar të pandehurit.

Avokatët e të akuzuarve kërkojnë që të merren dëshmitë e vëllezërve të Jan Prengës dhe të sekuestrohen celularët e tyre, për të vërtetuar komunikimet që ata pretendojnë se kanë pasur me Dritan Rexhepin dhe Gentian Funiqin.

Po ashtu kërkohet të saktësohet nga SPAK roli që ka pasur secili nga të pendehurit dhe të këqyren pamjet filmike të resortit ku u mbajt babai i 4 fëmijëve. Nga këto prova avokatët presin të saktësojnë datën kur është bërë grabitja e drogës nga Astrit Penga në Portsmuth të Britanisë së Madhe. Kërkohet gjithashtu që të pyeten nga gjykata ekspertët që kanë bërë akt-ekspertimin e kamerave të sigurisë. Po ashtu ata kërkojnë që prokuroria të saktësojë lidhjen mes 7 të pandehurve. Avokati i Martin Bletës kërkoi që ky i fundit të shpallet i pafajshëm pasi nuk ka prova që e lidhin atë me ngjarjen.

Avokatët kundërshtuan njëzëri që të bëhet pjesë e këtij gjykimi vendimi i gjykatës për të bashkëpandehurin Festim Bexhdili që është dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkesat e avokatëve janë kundërshtuar nga ana e prokurorëve duke shkaktuar edhe debate të ashpra në seancë. Në datë 8 mars në seancën e radhës do të jetë mbrojta e Dritan Rexhepit që do të parashtrojë kërkesën e saj për prova e më pas do të nisë pyetja e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.

Kujtojmë se Festim Bexhdili është i vetmi që mbahet në paraburgim për rrëmbimin, torturimin dhe më pas vrasjen e 49-vjecarit Jan Prenga, ndërsa Olsi Turja është liruar me herët, por megjithatë ai do të dalë para trupës gjykuese.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditën e 17 janarit të 2020 në Kamëz. Sipas pamjeve filmike Jan Prenga u dërgua me një Rang Rover të bardhë në garazhin e në resorti në Shijak, aty ku dyshohet se ka humbur jetën. Më pas trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur as sot e kësaj dite.

Jan Prenga dyshohet se u rrëmbye për t’i bërë presion vëllait të tij Astrit Penga, i cili kishte vjedhur një sasi të madhe droge në Angli. Lënda narkotike dyshohet se ishte e Dritan Rexhepit dhe Gentian Doçajt. Po hetuesin kanë dyshime se nga dhuna e ushtruar ndaj Prengës në makinë ai ka humbur jetën.

Deri më tani dyshohet se një nga porositësit e rrëmbimit të jetë Gentian Fuqini nga Shkodra, i cili kontaktoi vëllezërit e Jan Prengës, dhe iu kërkoi ti kthehej sasia e kokainë së grabitur në Britaninë e Madhe, në këmbim të jetës së vëllait.

Nga ana tjetër ka qenë bosi i kokainës Dritan Rexhepi i cili thuhet se po ashtu ka kontaktuar me familjen Prenga nga një burg në Ekuador. Rexhepi dyshohet se ishte organizatori i nisjes së kokainës për në Britaninë e Madhe që më pas u zhduk nga porti i Portsmoouth. Pas kontakteve Astrit Prenga u ktheu grupit kriminal sasinë e kokainës ndërsa Rexhepi tregoi se kush ishin rrëmbyesit.

Sipas policisë, Jan Prenga pas rrëmbimit është dhunuar dhe torturuar ndërsa më pas është dërguar i pajetë në resortin Hajri në pronësi të Altin Hajrit nga ku u nxor me një furgon të bardhë e dyshohet të jetë groposur në atë zonë.

 

jan prenga rrembim zhdukje dritan rexhepi avokati deshmi vellezer spak telefona sekuestrim