
Një nga zbulimet më të rralla në industrinë botërore të gurëve të çmuar është bërë në Myanmar, Azi Juglindore, ku është gjetur një rubin gjigant prej 11 mijë karatësh.
Guri i çmuar u zbulua në luginën Mogok, rajon i njohur prej shekujsh për nxjerrjen e rubinëve më të famshëm në botë. Rubini peshon rreth 2.2 kilogramë dhe, sipas autoriteteve lokale, ka një ngjyrë të kuqe intensive tepër të rrallë, e konsideruar ndër më të kërkuarat në tregun ndërkombëtar.
Edhe pse nuk e thyen rekordin e rubinit prej 21,450 karatësh të zbuluar në të njëjtën zonë në vitin 1996, ekspertët besojnë se cilësia e këtij guri mund ta bëjë më të vlefshëm.
Në industrinë e bizhuterive, rubinët e cilësisë së lartë mund të arrijnë vlera deri në 1 milion dollarë për karat. Për këtë arsye, specialistët paralajmërojnë se ky zbulim mund të përfundojë mes gurëve më të shtrenjtë të parë ndonjëherë.
Rubinët konsiderohen ndër gurët më të rrallë në botë, sidomos ata me të ashtuquajturën ngjyrë “gjak pëllumbi”, për të cilën Myanmar është veçanërisht i famshëm. Shumica e gurëve të tregtuar zakonisht janë vetëm 1 ose 2 karatësh, ndërsa gurët mbi 3 karatë cilësohen jashtëzakonisht të rrallë.
Myanmar prodhon rreth 90% të rubinëve më të njohur në botë, ndërsa rajonet Mogok dhe Mong Hsu janë qendra historike të nxjerrjes së tyre prej më shumë se 800 vitesh.
Megjithatë, zbulimi i rubinit vjen në një moment tensionesh të forta në zonë. Rajoni Mogok është përfshirë vitet e fundit nga përplasje të armatosura mes ushtrisë dhe grupeve etnike rebele.
Në vitin 2024, zona ra nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Ta’ang, por më pas iu rikthye ushtrisë përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina.
Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje që kompanitë e bizhuterive të mos blejnë rubinë nga Myanmar, duke pretenduar se fitimet nga tregtia e gurëve të çmuar përdoren për të financuar regjimin ushtarak dhe konfliktet në vend.
Lini një Përgjigje