Kreu i Partisë Mundësia reagoi pas akuzave të socialistëve, duke publikuar dokumente dhe një video ku shpjegon investimin në vilën e shitur në Itali.
Pas disa ditësh debat publik mbi shitjen e një vile në Itali për 15 milionë euro, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar duke publikuar dokumente dhe një video, ku jep sqarime mbi investimin dhe transaksionin.
Reagimi vjen pasi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe përfaqësues të tjerë socialistë hodhën akuza ndaj Shehajt, duke ngritur dyshime mbi burimin e pasurisë dhe duke folur për pastrim parash. Shehaj i ka kundërshtuar këto pretendime.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Partisë Mundësia thotë se ka bërë "transparencë totale", duke publikuar dokumentet italiane që, sipas tij, provojnë se bëhet fjalë për një investim të ligjshëm dhe të deklaruar.
Sipas Shehajt, në vitin 2019 ai bleu një vilë të vjetër rreth 250 metra katrorë për 2.9 milionë euro. Një vit më vonë mori leje ndërtimi, e shembi objektin ekzistues dhe investoi rreth 4 milionë euro për ndërtimin e një vile të re prej rreth 500 metrash katrorë. Ai thotë se prona u shit në vitin 2025 për 15 milionë euro, ndërsa në vitin 2026 ka blerë një vilë tjetër ku do të vijojë investimet.
"Nuk ka investim më transparent dhe më të pastër se shitja e vilës sime në Itali. Çdo hap i këtij investimi është deklaruar sipas ligjit, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Në Itali nuk shpëton asnjë cent pa u verifikuar. Çdo euro është e dokumentuar", shkruan Shehaj.
Ai shton se pasurinë e ka krijuar përpara se të hynte në politikë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur, teksa sfidon socialistët të dalin dhe të tregojnë si u pasuruan.
BRRAVO AGRON PO KU KAN KURAJO HAJDUTET E RILINDJES TE BEJNE TRASPARENCEN Q BEN TI