
Ylber Ramadani mund të jetë pranë largimit nga Leçe, teksa Torino ka shfaqur interes për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares shqiptare. Lojtari është nën kontratë me klubin aktual deri në fund të sezonit të ardhshëm, por zhvillimet e fundit sugjerojnë mundësinë e një transferimi gjatë merkatos.
Sipas informacioneve, drejtuesit e Torinos kanë nisur të bëjnë vlerësime për kartonin e Ramadanit, i cili llogaritet të kushtojë mes 6 dhe 8 milionë euro. Kjo shumë mund të pësojë ndryshime në varësi të ecurisë së Leçes dhe qëndrimit të saj në Serinë A.
Një element tjetër financiar lidhet me klubin e mëparshëm të lojtarit, Aberden, i cili ka ruajtur 10% të të drejtave në rast rishitjeje. Nëse transferimi realizohet brenda vlerave të përmendura, skuadra skoceze pritet të përfitojë rreth 1.2 milionë euro.
Ndërkohë, Ramadani raportohet të jetë një nga lojtarët e preferuar të trajnerit Roberto D’Aversa, i cili aktualisht drejton Torinon, çka mund të ndikojë në konkretizimin e këtij transferimi.
Lini një Përgjigje