
Kosova arriti që të marrë në Andorrë fitoren e parë në grup për kualifikueset e ”EURO 2024”. Ndonëse “Dardanët” fituan 3-0, kjo natë rezultoi e zymtë për sulmuesin Albion Rrahmani, i cili doli nga fusha me lot në sy pas dëmtimit që mori në fushë, ku ka pësuar frakturë në këmbë.
Klubi rumun, Rapidi i Bukureshtit, ku aktivizohet ish-sulmuesi i Ballkanit, ka dalë me një sqarim të gjatë e të detajuar në lidhje me dëmtimin e Rrahmanit. Sulmuesi i “Dardanëve” pritet që t’i nënshtrohet operacionit të hënën dhe parashikohet që të mungojë së paku tre muaj.
Ja sqarimi i Rapidit të Bukureshtit për situatën e sulmuesit Albion Rrahmani, të cilit i kanë vënë epitetin “Leva” (Levandovski):
“Në një moment të shkëlqyer, si për të ashtu edhe për Rapidin, ka përfunduar viti i një prej sulmeve më të mirë në vend. Skuadra nuk do të mund të mbështetet më në kontributin e Albion Rrahmanit, golashënuesit më të mirë të klubit, deri në fillim të vitit 2024. Pas rezultateve të sotme të analizave, lëndimi i sulmuesit tonë rezultoi mjaft i rëndë.
“Leva” debutoi si titullar te Kombëtarja e Kosovës edhe në ndeshjen kundër Andorrës, në kuadër të Kampionatit Europian. Një natë që duhej të ishte perfekte për Albionin u kthye në një natë të trishtë, pasi në minutën e 65, kundërshtari bëri një ndërhyrje të gabuar dhe lojtari ynë u detyrua të largohej nga fusha. I sjellë urgjentisht me një aeroplan privat, të vënë në dispozicion nga klubi, Albioni kreu menjëherë kontrollet mjekësore, pas të cilave diagnoza ishte frakturë ekuivalente bimaleolare e këmbës së djathtë. Ky rezultat do të thotë të paktën tre muaj jashtë fushës për golashënuesin e Rapidit, i cili ka shënuar 6 herë në 7 ndeshjet e luajtura për ngjyrën vishnje.
Rrahmani do t’i nënshtrohet një operacioni të hënën nga Vlad Georgeanu, një nga specialistët më të mirë të ortopedisë në vend, i cili gjithashtu ka shëruar Xhejson Papeu në një kohë më të shkurtër nga sa pritej fillimisht.
Jemi 100% me Albionin, të cilit do t’i japim të gjitha kushtet dhe mbështetjen dhe jemi të sigurt që do të kthehet shumë më i fortë në fushë!”
Ndërsa sulmuesi kosovar përmes rrjeteve sociale ka lëshuar këtë njoftim: “Ishte një moment i tmerrshëm, por do të kthehem më i fortë”.
Lini një Përgjigje